Deputetja e Vetëvendosjes, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni ka ftuar të gjithë deputetët që të bëhen bashkë kundër Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Në fjalën e saj në Kuvend ajo ka thënë se mosthemelimin e Asociacionit ia kanë borxh atyre që janë flijuar për vendin.
“Jo më kot insistimi më i madh i Serbisë vazhdon të mbetet themelimi i Asociacionit. Në anën tjetër insistimi më i madh i yni si mazhorancë në Kuvend dhe Qeveri vazhdon të mbetet mosthemelimi i tij. Ky sot do të duhej të ishte insistim i të gjithëve pa dallim, këmbëngulje e jona e përbashkët, synim i yni i përbashkët. Këtë ia kemi borxh atyre që u flijuan duke dhënë jetën për këtë tokë dhe liri që po e gëzojmë ne. Sot më shumë se kurrë, jo vetëm Kosova por në veçanti Kosova kërkon unitet dhe qëndrueshmëri”, ka thënë Kryeziu-Hyseni.
Teksa ka shtuar se pozicionimi i të gjithë deputetëve kundër themelimit të Asociacionit i jep forcë kundërshtimit të VV-së për të mos e themeluar atë.
“…Pas 15 vjetësh ata e duan edhe Zajednicën që në emër të këtij 4 % po e kërkon Vuçiqi nga Beogradi, që me një përqindje edhe më të vogël të njerëzve të tij, të shtrijë ndikimin e tij në Kosovë. Merreni me mend çfarë do të ndodhte në këtë vend me Zajednicën. Por, kjo nuk do të ndodhë. Ne nuk duhet ta lejojmë bosnjëzimin e Kosovës. Prandaj ta themi hapur dhe me zë të lartë se gabimet e së kaluarës nuk do të përsëriten. Pozicionimi i secilit sot kundër Zajednicës i jep forcë kundërshtimit tonë për të mos e pranuar atë. Të bëhemi bashkë dhe të themi njëzëri ‘Zajednica nuk kalon’”, ka deklaruar ajo.