Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar, Adem Jashari, ka folur para deputetëve në kuvend, në 25 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, raporton DTV.
Jashari para deputetëve ka kërkuar unitet në përballje me Serbinë. Jashari ka thënë se i gjithë spektri politik duhet të jetë bashkë që “të ndahemi njëherë e përgjithmonë nga Serbia”.
“Duke falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bijtë dhe bijat tona, ne kemi arritë sot këtu, jemi të lirë, jemi tubuar të lirë. Shtetet e Bashkuara dhe shtetet mike i kemi pranë nesh, edhe ju ushtarë të nderuar e oficerë. I falënderoj nënat e dëshmorëve, motrat, veteranët, invalidët, familjarët e personave të zhdukur, të gjithë juve këtu, iu uroj shëndet. Lavdi e nder të gjithë atyre që ranë”, u shpreh ai.
Rifat Jashari pati edhe një thirrje për deputetët e Kuvendit të Kosovës, duke iu kërkuar që të kenë një qëndrim.
“Këtu është kuvendi ku merren vendimet për të ardhmen e vendit, të ardhmen e shtetit, u kisha preferuar që të jeni të një gjuhe, të një qëndrimi dhe të kalojmë këtë sfidë që e kemi përpara, të ndahemi njëherë e përgjithmonë nga Serbia e pastaj kemi kohë të merremi me të tjerat”, u shpreh tutje ai.