Lista Serbe kanë thënë se janë në dijeni që Qeveria e Kosovës ka vendosur që në nënshkrimin e e-maileve zyrtarë të vendosin një foto të Adem, Hamëz e Shaban Jasharit.
Me këtë nuk po dakordohen zyrtarët e subjektit politik serb më të madh në Kosovës
“Me qëllim që të gjitha komuniteteve t’u imponohet një qëndrim i njëanshëm i së kaluarës në këtë rajon pa asnjë njoftim, bazë ligjore apo pa kërkuar pëlqimin e institucioneve të Kosovës, ata imponuan që në nënshkrimin e emaileve zyrtare të punonjësve, përfshirë serbëve, boshnjakëve, goranëve, të përfshijnë një foto të liderit të UÇK-së Adem Jasharit, Shaban dhe Hamëz Jasharit, në një kornizë kuq e zi, me kokën e shqiponjës të vizatuar ngjashëm si në flamurin shqiptar”, thuhet në një reagim.
Lista Serbe ka thënë se përmes këtij vendimi Kurti, po synon që Lista Serbe ta promovojë UÇK-në dhe liderët e saj.
Ndërsa shtojnë se qëndrimi i tyre për UÇK-në është i njohur.
“Për të sqaruar, regjimi diktatorial i Albin Kurtit duke keqpërdorur institucionet dëshiron të imponojë që kryetarët serbë, deputetët dhe të gjithë serbët kur përdorin emailet zyrtare brenda institucioneve në Kosovë dhe Metohi të promovojnë UÇK-në dhe liderët e saj, pavarësisht qëndrimit të njohur të popullit serb për këtë organizim”, thuhet në reagimin e tyre.
“Ky është një lloj tjetër presioni institucional dhe një shembull klasik i diskriminimit ndaj serbëve dhe popujve të tjerë që vetëm po bëjnë punën e tyre, të cilët nuk lejohen të kenë qëndrimin e tyre ndaj ngjarjeve nga e kaluara”.
“Lista Serbe kërkon që përfaqësuesit ndërkombëtarë të marrin një vendim të qartë për këtë çështje dhe të tregojnë se askush nuk ka të drejtë të diskriminojë njerëzit dhe të imponojë unanimitet në Kosovë dhe Metohi, veçanërisht në dritën e procedurës penale që po zhvillohet në Gjykatën Speciale për krimet e kryera në këtë rajon”, thuhet në ragimin e tyre.