Opozita serbe paralajmëron se do ta dërgojë në Kushteutese Vuçiqin për pranimin e planit evropian

Disa parti opozitare në parlamentin serb pajtohen se Aleksandër Vuçiqi duhej të ishte fajësuar shumë kohë më parë për shkelje të Kushtetutës.

Ata po ashtu theksojnë se tani është momenti i duhur për të kërkuar vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese nëse presidenti i Serbisë ka shkelur Kushtetutën duke pranuar Planin Evropian. Ka edhe nga ata që theksojnë se mendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet kërkuar vetëm pas nënshkrimit të marrëveshjes evropiane për Kosovën.

“Partia Demokratike do të mbështeste propozimin për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Serbisë për shkelje të Kushtetutës. Ai propozim kërkon një të tretën e deputetëve dhe mendimin e Gjykatës Kushtetuese se a ka pasur shkelje të Kushtetutës. Pas këtij mendimi, dy të tretat e deputetëve shkarkojnë presidentin”, ka thënë për Danas-in, Dragana Rakiq, nënkryetare e PD-së, duke shtuar se Vuçiq është dashur të jetë fajësuar shumë kohë më parë, sepse ai e shkel Kushtetutën çdo ditë..

Sipas saj, problemi është se Gjykata Kushtetuese, fatkeqësisht, është organ politik nën kontrollin e Aleksandër Vuçiqit dhe jo institucion i pavarur, shkruan Danas.

Ajo kujton se sot kjo gjykatë po punon në një përbërje jo të plotë me 11 nga 15 gjyqtarë dhe kjo tregon mirë se çfarë qëndrimi ka ndaj këtij institucioni dhe sa i rëndësishëm konsiderohet mendimi i tij.

“Duhet të shfrytëzohet çdo mundësi për të rishikuar përgjegjësinë e Aleksandër Vuçiqit për vendimet që ai merr, por shtrirja e institucioneve tona është shumë e kufizuar. Gjykata Kushtetuese si dhe institucionet e tjera shtetërore janë nën kontrollin e plotë të regjimit në pushtet dhe detyra e tyre e vetme është që ta ruajnë Aleksandër Vuçiqin në pushtet për aq kohë sa të jetë e mundur, pavarësisht shkeljes së dukshme të ligjit dhe Kushtetutës”, thotë Rakiq.

Dhe Nebojsha Zelenoviq, bashkëkryetar i partisë “Bashkë duhet të jemi”, beson se Vuçiq e shkel Kushtetutën, pak a shumë, çdo ditë. Për këtë ai thotë se duhet të kërkohet diskutim në Kuvend.

“Çfarë pranoi dhe çfarë nuk pranoi në Bruksel, këtë e di Zoti i shenjtë. Ajo për të cilën jam i sigurt është se Serbia duhet të luftojë për një marrëveshje që garanton siguri të plotë dhe perspektivë të një jete të mirë për qytetarët tanë në Kosovë dhe Metohi, paqe dhe stabilitet të përhershëm në rajon dhe i garanton Serbisë një hyrje të sigurt dhe të parashikueshme në BE. Unë kam paraqitur një plan të detajuar për këtë, ne duhet të luftojmë. Sado e ndërlikuar të duket, jam i bindur se është e mundur të gjendet mënyra për ta bërë një marrëveshje të tillë në përputhje me Kushtetutën”, thekson Zelenoviq.

Leave a Reply

Your email address will not be published.