“Kuča na prodaju”, apo shtëpia në shitje.
Mbishkrime në shumicën e atyre pak shtëpive të banuara nga serbët në Fushë-Kosovë.
Çmimi këtu shkon deri në 17 mijë euro për ari, shifër kjo e lakmueshme për shitje.
Megjithatë jo vetëm për shkak të çmimit serbët po i shesin pronat.
Në fshatin Sevcë, të Shtërpcës, Lazar Milenkoviq e ka vendosur në shitje të gjithë pasurinë e tij, por për një arsye tjetër.
“Për shkak Listës Serbe dhe kryetarit të komunës, Dalibor Jevtiq.”, thotë njoftimi i shitjes, i publikuar edhe në llogarinë e tij në “Facebook”.
DTV e ka kontaktuar Lazar Milenkoviqin.
I njëjti është përgjigjur përms telefonit, por nuk ka treguar cili është problemi i tij me kryetarin e Shtërpcës dhe Listën Serbe, duke thënë se do të flasë një herë tjetër.
Edhe para disa muajve, një i ri tjetër nga Shtërpca, Daniel Vasijleviq, kishte hedhur akuza ndaj Listës Serbe dhe kryetarit të komunës për hakmarrje për shkak të bindjeve politike.
Vasiljeviq kishte qëndruar në paraburgim disa javë, për shkak të raportimit në polici të kinse ngacmimit të vajzës së anëtarit të Listës Serbe, Dalibor Jevtiqit. Ndaj akuzave asnjëherë nuk ka pasur reagim nga Lista Serbe.
Jo vetëm në Shtërpcë, por edhe në qytete tjera sidomos në Mitrovicën Veriore ka vazhdimisht raportime për presion nga kjo parti. Branislav Kërstiq ndër të paktit kritik dhe gazetar që flasin ndryshe, thotë se raste si këto të Shtërpcës janë mbi 100 që i di.
Branislav Kerstiq, gazetar ka theksuar se “Por e kemi edhe rastin në veri të Kosovës, kur pronari i një kompanije të autobusave publikisht nëpër rrjete sociale në internet e ka publiku që është gati me e mbyllë kompaninë me 25 autobusa sepse nuk është në atë lidhjen politike qysh duhet qysh duan liderët ose bosët mafiozë të Listës Serbe edhe kabineti i Vuçiq”.
Kërstiq thotë se elita serbe në Kosovë në rast se mendon ndryshe nga Lista Serbe dhe pushteti në Beograd ka tri opsione.
Branislav Kerstiq, gazetar ka theksuar se “Me qenë i dëbuar nga Kosova, me u ushqy nga fondet ose resurset financiare nga Lista Serb edhe kabineti i z. Vuçiqit edhe në fund me shantazhim edhe presion në bazë ditore me kanë i urt ose vet me u largu nga Kosova…Nëse nuk jeni duke votuar Listën Serbe ose partinë “SNS”, partia e kryetarit të Serbisë, ju jeni prej natës së parë të zgjedhjeve pa punë”.
Edhe vet Kërstiq i cili jeton në Mitrovicën Veriore thotë se për shkak të bindjeve dhe punës që bënë e ka pësuar edhe rrethi familjar të cilët nuk kanë mundur asnjëherë të punësohen në sistemin publik.
Ai thotë se Qeveritë në Prishtinë pa përjashtim në forma të ndryshme, bashkë me Beogradin kanë ndikuar në faktorizimin e Listës Serbe, shto këtu faktin se asnjëri nga të dyshuarit për krime pjesë e kësaj partie, nuk janë vënë para drejtësisë.
Monopolizimi i pushtetit dhe i përfaqësimit sipas përfaqësuesve politik në këtë komunë i ka bërë dëme më së shumti vet komunitetit serb.
Skender Sadiku, Zv, Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut ka thënë se “Ndikimi i tyre politik ka ndikuar tek gjyqësori, tek administrata edhe tek policia. Mund ta imagjinoni që një thirrje që e kanë bërë dhe ndikimin që e kanë lista serbe ka ndikuar që qytetarët serbë të cilët janë shumicë në veri të mos kenë drejtësi, të mos ketë kush t’i ruajë (dorëheqjet e policisë) por të mos kenë edhe shërbimin më elementare që bëhet nëpër komuna”.
Në javët e fundit Lista Serbe ka nisur një fushatë denigruese ndaj serbëve që janë pjesë e Qeverisë e jo e Listës Serbe. Sidomos ndaj Rada Trajkoviq, këshilltare në ministrinë për Komunitete dhe Kthim, duke e quajtur me terme ofenduese si gjyshe, e po ashtu e dhënë në shfrytëzim për kryeministrin Albin Kurti.