Komuna e Vushtrrisë ka inauguruar pllakë mirënjohëse familjen Mernica, ku katër vëllezërit e kësaj familje kishin lëshuar shtëpitë e tyre për mësim, raporton DTV.
Kryetari i Vushtrrisë, tha se kur serbët i mbyllën shkollat, familjet si Mernica i hapën shtëpitë e tyre. Ai tha se në këtë komunë, shumë familje e bën një gjë të tillë.
“Jam sot shumë krenar që gjendem në mesin e juaj për të zbuluar këtë pllakë të rezistencës së arsimit shqip në një periudhë jashtëzakonisht të vështirë. Pra kjo periudhë kohore simbolizon themelin e shtetit të Republikës së Kosovës, në një kohë kur okupatori serb i mbylli shkollat, i largoi nxënësit dhe mësimdhënësit nga objektet shkollore, dyert i hapen familja Mernica me katër shtëpi dhe shumë familje tjera në Vushtrri, familja Haziri e Azemi që i kemi afër 80 familje të cilët i shndërruan shtëpitë në shkolla dhe kjo është hallka e historisë sonë kombëtare”, u shpreh ai.
“I falënderoj të gjitha familjet shqiptare që si asnjëherë më parë ia dolëm që ta mbajmë arsimin shqip në periudhën më të vështirë”.
E ish-kryetari i Vushtrrisë, Muharrem Shabani, tregoi kohën kur disa gazetarë të huaj kishin parë mësimin në këto shtëpi.
“Kur erdhën nga Evropa Juglindore një ekip i gazetarëve në këto kullat këtu, që i panë këto kulla plotë me nxënës dhe i panë arsimtarët që vepronim në kushte të vështira dhe rezistonim. Sot jemi krenar që e kemi këtë pllakë këtu që e dëshmon dhe ruhet për gjeneratat e reja, që mësuesit e mbrojtën me gjak, që me pathyeshmëri e shkruan rrugën e shkronjave shqipe këtu në Kosovë”, u shpreh ai.