Ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, ka thënë se marrëveshja e diskutuar në takimin e 27 shkurtit në Bruksel, mes Kosovës dhe Serbisë, do të mund të ishte një moment historik për të dyja vendet, raporton DTV.
“Është një kohë shumë premtuese, është një mundësi e vërtetë për që të ketë një progres konkret në normalizimin e marrëdhënieve Kosovës-Serbi”.
“Marrëveshja që u diskutua më 27 shkurt ka potencialin të jetë një moment historik për të dy vendet. Është diçka shumë pozitive dhe në interesin e Kosovës si shtet”.
Guerot tutje ka kërkuar nga opozita e Kosovës, njëjtë sikurse nga Qeveria, që formimin e Asociacionit ta shohin me një sy ndryshe, si dhe t’i vlerësojnë përpjekjet e BE-së dhe ShBA-së për dialogun.
“Kosova është një vend demokratik dhe është normale që pozita dhe opozita të jenë në kundërshtim për çështje të ndryshme. Ne siç kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës, kërkojmë njëjtë edhe nga opozita që ta shohin çështjen e Asociacionit me një sy ndryshe, ta shohin ‘fotografinë e madhe’ dhe t’i vlerësojnë përpjekjet që komuniteti internacional po bën për Kosovën dhe Serbinë”.
I pyetur nëse Serbia do ta pranojë një marrëveshje të tillë, Guerot tha se nuk mund ta thotë me siguri një gjë të tillë, por se pa dyshim marrëveshja do të ishte edhe në interesin e Serbisë.
“Shpresojmë që do të ketë një marrëveshje, por nuk më takon mua të them nëse Serbia do ta nënshkruajë apo jo atë, kjo është detyra e ekipit të Lajçakut dhe dy partive që negociojnë”.
“E rëndësishme për ne është që të ketë vullnet politik dhe ne po mundohemi vazhdimisht t’i nxisim të dyja vendet që ta tregojnë fleksibilitetin e tyre dhe ta pranojnë planin”, tha Guerot, raporton DTV.