Që nga viti 2010 e deri më tani, 720 raste të dhunës në familje janë identifikuar nga Policia e Kosovës. Mosha e atakuar më së shumti në këtë dhunë janë nga 20 deri në 30 vjeç, ka bërë të ditur Major Ramadan Ahmeti, nga Sektori Kundër Dhunës në Familje, raporton DTV.
Gjatë raportimit të martën në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, Ahmeti ka thënë se ndër faktorët që ndikojnë në këtë dukuri janë të shumtë.
“Përkundër angazhimit të madh që jemi duke pasur dhuna në familje është një trend në rritje. Janë krijuar 26 dhoma mike në kuadër të Policisë së Kosovës, që të intervistohen viktimat e dhunës në familje. Ne konsiderojmë që të krijohet një departament i veçantë për dhunën në familje, është në proces të bëhet. Nga viti 2010 e deri më tani, kemi identifikuar 720 raste të dhunës, ku bëjnë pjesë mosha nga 20-30 vjeç”.
Ahmeti tha se shkaku i traditave patriarkale, janë një ndër arsyet që i rrisin rastet e dhunës në familje, ndërsa përmendi edhe fushatat, në mënyrë që qytetarët ta raportojnë këtë dukuri.
“Disa nga arsyet që ndikojnë janë traditat e vjetra, në aspektin se ‘unë vendosi’. Kemi ndërmarrë bukur shumë fushata në terren, kemi mbajtur trajnime të ndryshme që qytetarët të raportojnë mbi dhunën. Gjithashtu është aplikacioni i veçantë i cili për momentin është vetëm në Android, por Ministria e Punëve të Brendshme është duke punuar që ta bëjë këtë aplikacion të qasshëm edhe në Iphone apo IOS”, u shpreh ai.
“Në 5, 6 viteve të fundit janë raste minimale kur policia iu thotë rasteve që nuk kanë të drejtë ndërmjetësimi, pra nuk po përzihem se është proces familjar. Tek Kodi Mbrojtës edhe viktima nëse lëviz nga adresa A në adresën B duhet ta lajmërojë Policinë për shkak se në atë adresë mund të mos kenë të drejtë qasje një patrullë, të lajmërohet patrulla tjetër. Nëse njerëzit janë të edukuar në mënyrën më të mirë të mundshme mundësitë që të ketë dhunë janë më të vogla nuk po e minimizojë faktin se mund të ndodhë”, tha në fund Ahmeti.
Ndërsa kryetarja e këtij Komisioni, Duda Balje, e sheh shqetësuese rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje.
“Për fat të keq çdo ditë po lexojmë në media për dhunë në familje, dhunë seksuale ndaj grave dhe pikërisht një ditë para ditës së gruas për 8 mars kemi thirrur këtë mbledhje”, tha Balje.