Qeveria e Kosovës ka nisur lëvizjet e para për ndërtimin e rrugës Kijevë-Zahaq. Kështu, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, ekzekutivi ka miratuar propozim-vendimin përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish shoqërore “Kooperativa Bujqësore Podujevë” të cilat janë të nevojshme për realizimin e këtij projekti, raporton DTV.
Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, tha se janë përfunduar të gjitha procedurat për shpronësimin e pronave të paluajtshme, për interes publik.
“Departamenti i Shpronësimit në mënyrë zyrtare ka pranuar nga zyra e pronës së paluajtshme aktin e vlerësimit të pronave të paluajtshme ish shoqërore ‘Kooperativa Bujqësore Podujevë’. Pas plotësimit të kushteve të përcaktuara ne propozojmë vendim me të cilin miratohet vendimi përfundimtar i këtyre pronave të cilat janë të nevojshme”, tha ai.