Deputetja e Listës Guxo, Jeta Statovci, ka deklaruar se Projektligji i për përcaktimin e çmimeve për barnat, është në të mirë të qytetarëve, teksa thotë se do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetësi publike duke ofruar qasje më të përballueshme të popullatës në barnat e nevojshme, raporton DTV.
Statovci ka thënë se shpesh herë, qytetarët janë përballur me çmime joreale, duke dalluar nga një barnatore në tjetrën. Me këtë rast, ajo vlerëson si të nevojshme ndërhyrjen e shtetit karshi produkteve farmaceutike.
“Ky padyshim është një prej ligjeve më të rëndësishme sepse ka direkt në rëndësi në mirëqenien e qytetarëve, gjithashtu edhe në aspektin ekonomik por edhe në aspektin e mirëmbajtjes së shëndetit të tyre. Çështja e sëmundjeve nuk është një zgjidhje, çështja e ekspozimit ndaj nevojës për terapi për barna, padyshim që nuk është një zgjidhje në vete dhe duke qenë që sektori është shumë specifik, vlerësohet në shumë politika botërore që qytetari nuk arrin ta bëjë zgjedhjen në mes të një produkti cili është më i mirë ose më i keq, që mund ta bëjnë me produktet e tjera, mirëpo për shkak se kemi mungesë të informacionit për produkte farmaceutike nuk është e jona që të vendosim se cilin produkt e marrim e cilin jo, në qoftë se është përshkruar me emrin gjenerik një barnë”, u shpreh Statovci, teksa thotë se vendet tjera e kanë të rregulluar këtë gjë kohë më parë.
Ajo thotë se vetëm në Amerikë një gjë e tillë nuk është e rregulluar me ligj, pasi atje konkurrenca është më e madhe.
“Andaj krijon një mekanizmë mbrojtës që çështja e barnave dhe nevojës për terapi, në një diçka të cilën as nuk është zgjedhje as nuk është faji i askujt, të paktën ta mbrojë nga aspekti ekonomik e kjo është përmes pra përcaktimit të çmimeve, përmes një tregu të rregulluar karshi barnave, kjo është një praktikë e shumë vendeve, e sidomos vendeve në tregjet e vogla, pra vetëm në Amerikë mund të themi që çmimet e barnave rregullohen në konkurrencë sepse është një treg masiv, me shumë kompetitorë, me shumë konkurrentë, me shumë firma të cilat e rregullojnë njëra tjetrën. Nëse e shohim tregun e Bashkimit Evropian, të gjitha kanë politika të tilla të rregullimit të çmimeve të barnave, e besa nëse e shohim të gjithë kontinentin kemi vetëm rastin e Bjellorusisë që nuk ka një mekanizëm të tillë në dispozicion”, u shpreh ajo.
Ndonëse e konsideron si të vonuar këtë Projektligj, Statovci thotë se shpesh herë qytetarët janë dëmtuar me çmime joreale. Ajo thotë se shpesh herë me çmime të barnave është manipuluar, pasi kanë dalluar nga një barnatore në tjetrën.
“Kjo ka qenë një nevojë e kahmotshme, padyshim që është specifike, padyshim që kërkon që kompanitë farmaceutike t’i ripërshtaten një rregulli të ri, mirëpo është një nga nevojat më të mëdha karshi qytetarëve sepse është evidente le të themi i njëjti produkt ka dalluar shumëfish më shumë në tregun e Kosovës se sa le të themi në tregun e Maqedonisë. I njëjti produkt ka dalluar nga një barnatore në një barnatore tjetër, i njëjti produkt ka dalluar në çmim brenda ditës dhe brenda natës. I njëjti produkt ka dalluar shumë në çmim në qendër të qytetit si dhe në fshatra ku ndoshta është vetëm një barnatore e mungesa e konkurrencës jep hapësirë që të lëvizë me çmime, andaj nëse fiksohet e dihet që nevoja është evidente nuk është një zgjidhje ka përplot që janë me sëmundje kronike dhe terapia është e nevojshme javë për javë ose muaj për muaj, ta kenë këtë aspektin e rregullimit karshi kostos së produktit edhe një marzhe të fitimit e cila konsiderohet e arsyeshme”, tha Statovci.