Kompania “Pastrimi” në grevë, Prishtinën e mbulojnë mbeturinat

Për shkak të grevës së punëtorëve të Kompanisë Regjionale “Pastrimi”, mbeturinat e kanë “mbuluar” kryeqytetin. Vendet ku janë të vendosura kontejnerët, këtë të martë, ishin të stërmbushura. Madje, qytetarët kanë filluar t’i hedhin jashtë shportës përkatëse, raporton DTV.

Siç shihet në pamjet e siguruara nga DTV, te rruga “Mark Isaku” në lagjen Tophane shihen mbeturina të përhapura në rrugë.

Përveç që nuk paraqet pasqyrë të mirë për kryeqytetin, ato po ashtu dëmtojnë edhe ambientin.

Për grevën kanë paralajmëruar nga Sindikata e Pavarur e KRM “Pastrimi”, të cilët kanë kërkuar rritje page.

“Lidhur me grevën e organizuar nga Sindikata e Pavarur e KRM “Pastrimi”, ju njoftojmë se  pas shprehjes së pakënaqësisë të punëtorëve lidhur me ngritjen e pagave, sot me dt. 13.03.2023 u organizua takimi i radhës në mes të Menaxhmentit të Kompanisë, Bordit të Drejtorëve dhe Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të KRM “Pastrimi”, SH.A”, thuhet në njoftimin e tyre.

“Menaxhmenti i Kompanisë “Pastrimi”, dhe Bordi i Drejtorëve u deklaruan se është për ngritjen e pagave meqenëse me kontratën e re të po sa nënshkruar në mes të Komunës së Prishtinës dhe Kompanisë ”Pastrimi”, SH.A, ka një rritje të numrit të klientëve, dhe kjo rritje e numrit të klientëve do duhej të reflektonte në përmirësimin e gjendjes financiare të kompanisë, andaj Menaxhmenti i Kompanisë dhe Bordi i Drejtorëve u zotuan që muajve të ardhshëm të ketë ngritje të pagave në bazë të mundësive-(të hyrave shtesë) të krijuara me kontratën e re”, thuhet tutje në komunikatë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.