Mbahet edicioni i dhjetë i Javës së Gruas, presidentja: Kur zëri i grave dëgjohet, progresi është i pashmangshëm

Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) ka organizuar edicionin e dhjetë të Javës së Gruas, me temën kryesore “Barabarësia: Parakusht për Ripërtërirje të Demokracisë”, raporton DTV.

Nancy Soderberg, drejtoresha e NDI-së në Kosovë, tha se kjo ngjarje ndihmon në avancimin e barazisë gjinore por edhe kauzës së demokracisë në Kosovë.

Qëllimi i këtij organizimi, siç trego ajo, është që burrat dhe gratë të diskutojnë dhe të bashkëpunojnë me njëri tjetrin, për këto çështje.

“Kjo ngjarje ndihmon në avancimin e barazisë gjinore dhe kauzës së demokracisë në Kosovë. Qëllimi i kësaj jave është që të sjellim së bashku burra dhe gratë për të diskutuar që të gjejmë vendin e duhur dhe të barabartë për të gjitha poret në shoqëri”.

“Kjo rrugë ka qenë e jashtëzakonshme. Java e gruas ka qenë një prej platformave të partive politike për të biseduar me zyrtarë të zgjedhur. Ajo që është më rëndësi është që burrat po mblidhen në javën e grave”.

“Ne e dimë se demokracia do të shërbejë vetëm nëse burrat dhe gratë e bashkëpunojnë me njëri tjetrin”, tha Soderberg.

Në këtë edicion mori pjesë edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila në një fjalë rasti, tha se kur zëri i grave dëgjohet, progresi është i pashmangshëm.

“Në qendër të çdo veprimi është aktivizmi qytetar, demokracia është rezultat i një angazhimi të gjithëmbarshëm”.

“Gratë dhe burrat e Kosovës, qytetarët tanë, duke ndjekur idealet e tyre i kanë dhënë kah historisë së vendin tonë. Çdo përpjekje për avancim të demokracisë, mund të jetë e fuqishme vetëm kur të fuqizohet zëri i grave dhe burrave pa dallim”.

“Ky vullnet dhe ky përkushtim ekziston sot më shumë se kurrë. Nëse duam demokraci të fortë, atëherë nevojiten qytetarë të fuqizuar”.

Osmani ka thënë se demokracia është një projekt që nuk mund të konsiderohet kurrë si i përfunduar. Sipas saj, ai projekt vazhdimisht kërkon të mirëmbahet dhe zhvillohet.

“Edhe pse Republika e Kosovës është vetëm 15-vjeçare. Në 15 vjet rrugëtim, Kosova mbetet lider në rajon me dy gra presidente”.

“Kosova është sot vendi që e ka përkushtimin e palëkundur për të avancuar barazinë ligjore në vend. Kur gratë udhëheqin, kur u dëgjohet zëri, rezultatet janë konkrete dhe progresi është i pashmangshëm”, tha Osmani.

Leave a Reply

Your email address will not be published.