Politologu Agon Maliqi ka shkruar për prestigjiozen amerikane The Washington Post për angazhimin e Perëndimit në arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, sipas propozimit evropian të mbështetur nga amerikanët.
Maliqi shkruan se Perëndimi po shfrytëzon mungesën e fokusit të Rusisë në Ballkan, për t’ia larguar aleaten e saj, Rusinë.
“Me luftën që po ia shteron burimet, Moska ka qenë më pak në gjendje të projektojë fuqinë e saj përtej kufijve dhe fuqitë perëndimore po veprojnë për të përfituar nga ky vakum”, shkruan Maliqi.
Në opinionin e publikuar thuhet se Perëndimi tani po lëviz në një vijë të hollë, në përpjekje për ta marrë Serbinë nga Rusia dhe këtë po e bën duke e shtrënguar aleatin e saj.
“Për të nënshkruar marrëveshjen dhe për t’i dhënë një goditje ndikimit rus në rajon, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre evropianë po zbulojnë se duhet të ecin në një litar të hollë, duke u përpjekur ta blejnë një ish-klient rus, derisa shtrëngojnë një aleat të kamotshëm. Kjo strategji moralisht e paqartë mund të rezultojë jashtëzakonisht e rëndësishme. Por nuk është pa rreziqet e saj”.
“Por, në përpjekjet për ta nxjerrë Serbinë nga orbita e Rusisë, ndërmjetësit amerikanë dhe evropianë kanë dalë jashtë rrugës së tyre për të akomoduar disa kërkesa kyçe serbe dhe kanë shtruar presion në udhëheqjen e Kosovës”, thuhet në këtë shkrim.
Aty përmendet insistimi i Perëndimit prej muajsh që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin ndërmjetësuesit e kanë kthyer në top-prioritet. Dhe, fjalët se Perëndimi është i hapur ndaj një kërkese të Serbisë që Kosova të mos aplikojë për anëtarësim në Kombet e Bashkuara.
“Dy nga këto kërkesa dihen. Ndërmjetësit insistojnë që Kosovës menjëherë të nisë zbatimin e një marrëveshjeje të 2015-s për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe – një trup që do t’i jepte autonomi shtesë pakicës serbe prej 5 për qind që jeton në Kosovë”.
Ndërmjetësuesit thuhet gjithashtu se janë të hapur ndaj insistimit serb që Kosova të zotohet me shkrim që nuk do të aplikojë për anëtarësim në Kombet e Bashkuara pa pëlqimin e pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, shkruan Maliqi.
Ai thotë se nuk dihet se çka do t’i jepet në këmbim Kosovës, por nëse opsioni i OKB-së nuk është, atëherë asaj duhet t’i hapet rruga për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian.
“Nuk është gjithashtu e qartë se çfarë ëmbëltues do t’i jepen Kosovës. Nëse dera për në OKB mbetet e mbyllur, Kosova duhet ta ketë një rrugë të hapur drejt anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Të dyja janë momentalisht të mbyllura nga një grup shtetesh mosnjohëse evropiane: Greqisë, Spanjës, Rumanisë, Sllovakisë dhe Qipros”.
Në fund, Maliqi vlerëson nëse bëhen kompromise, duke besuar në strategjinë e Perëndimit. Megjithatë, ia thotë se nëse e gjithë kjo bëhet vetëm për të zvogëluar tensionet, atëherë do ta lë rajonin të destabilizuar.
“Kompromiset janë të paevitueshme në diplomaci të suksesshme. Dhe në një kornizë më të gjerë gjeopolitike, strategjia e Perëndimit është e besueshme. Një marrëveshje do të dobësonte kontrollin e Kremlinin mbi Ballkanin dhe do ta vendoste rajonin në një rrugë drejt integrimit përfundimtar në Perëndim”.
“Por, nëse marrëveshja vetëm zbut tensionet etnike në një periudhë afatshkurtër në kurriz të sovranitetit afatgjatë të Kosovës, ajo do ta lë rajonin jostabil”, thuhet në shkrimin e Maliqit.
Prandaj, që strategjia e SHBA-së dhe BE-së të funksionojë, sipas Maliqit, është i nevojshëm një plan kredibil afatëgjatë, që të dyja, Kosova dhe Serbia, të mishërohen më shumë në institucionet peëndimore.
Përndryshe, shkruan ai, Ballkani do të mbetet i prekshëm për manipulim dhe masat gjysmake do ta kthejnë Rusinë në rolin e saj tradicional, si destabilizuese.