Propozimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për ta emëruar drejtore të Shërbimit Informativ të Shtetit në Shqipëri, Vlora Hysenin, që qe shkarkuar në vitin 2021 nga posti i zëvendësdrejtores në Agjencinë Kosovare për Inteligjencë, është pritur me shqetësime nga opozita në Shqipëri.
Deputeti i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, ka thënë se presidenti i Shqipërisë është i detyruar të marrë informata nga Kosova për arsyet e shkarkimit të saj.
“Edi Rama ka njoftuar se ka propozuar Znj. Vlora Hyseni si drejtore e Shërbimit Informativ Kombëtar. Mediat raportojnë se znj. Hyseni është shkarkuar nga shërbimet e inteligjencës në Republikën e Kosovës, me dyshimet për ‘zbulim ose mosruajtje të informacioneve të klasifikuara’. Këto raportime janë shqetësuese dhe ngrenë dyshime mbi integritetin e znj. Hyseni”.
“Presidenti i Republikës është i detyruar të marrë informacionet e plota pranë institucioneve të Republikës së Kosovës mbi arsyet e largimit të saj nga të gjitha pozicionet në shërbimet e inteligjencës së Republikës së Kosovës. Për këtë Presidenti i Republikës ka detyrimin të bëjë transparencë për opinionin publik dhe të informojë edhe Kuvendin e Shqipërisë mbi çdo informacion që do të sigurojë”, ka shkruar Bardhi në Facebook të premten.
Ai ka thënë siguria kombëtare e Shqipërisë është e lidhur ngushtë me të Kosovës, ndërsa ka kundërshtuar përzgjedhjen “personale të Edi Ramës”.
“SHIK nuk mund të jetë kurrë institucion nën kontrollin personal të Edi Ramës, me përzgjedhje personale të tij dhe pa asnjë argument që siguron pavarësinë e Shërbimit Informativ Kombëtar dhe ushtrimin prej tij me profesionalizëm e paanësi të misionit të mbrojtjes së sigurisë kombëtare”, ka shkruar më tej Bardhi.
Ndërsa deputeti tjetër i PD-së, Kreshnik Çollaku, e ka cilësuar këtë propozim të Ramës si “provokim të panevojshëm ndaj Kosovës”.
“Është hera e parë që e dëgjoj emrin e znj. Hyseni dhe nuk kam asnjë njohje për cilësinë dhe aftësinë e saj në krye të kësaj detyre. Çfarë më bën përshtypje është fakti se znj. Hyseni ka mbajtur për një periudhë kohe pozicionin e nëndrejtores së AKI-së (shërbimit inteligjent Kosovë) dhe është shkarkuar nga aty nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti”.
“Nuk njoh asnjë nga arsyet e këtij shkarkimi, por më duket e pazakontë që një zyrtar të shkarkuar nga institucionet e Kosovës (në fushën e inteligjencës) të emërohet po në këtë fushë nga Shqipëria. Marrëdhëniet midis Shqipërisë e Kosovës janë vëllazërore e duhet të shkojnë drejt funksionimit të përbashkët. Ky rast më duket një provokim i panevojshëm nga Shqipëria karshi institucioneve të Kosovës. Është jashtë çdo arsyeje që kjo të ndodhë”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas tij, gjestet e tilla “stimulojnë konflikt të panevojshëm dhe të dëmshëm”. Çollaku ka thënë se shpreson që Begaj të mos lejojë klimë të tillë.
Institucionet e Kosovës nuk patën treguar arsyet e shkarkimit të Hysenit në fund të qershorit të vitit 2021.
Atë kohë, pas vendimit të marrë nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti ishte thënë se Hyseni obligohet të ruajë informacionet e marra gjatë detyrës dhe se zbulimi ose mosruajtja e tyre paraqet vepër penale.
Hyseni në pozitën e zëvendësdrejtoreshës së AKI-së ishte emëruar në shkurt të vitit 2019. Ajo ishte emëruar nga presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i atëhershëm Ramush Haradinaj, për një mandat pesëvjeçar.