Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, ka thënë se ai e ka një kopje të ditarit të Astrit Deharit, të mbajtur gjatë 78 ditëve në burg, ndërsa origjinalin e ka Prokuroria.
Gashi ka thënë se nga ekspertiza e atij ditari, nuk konstatohet se tashmë i ndjeri ka shfaqur shqetësime psikike, përveç shqetësimve se po mbahej padrejtësisht në paraburgim.
“Ditarin origjinal, normalisht që e ka Prokuroria dhe një kopje të ditarit e kam unë. Ai ditar ka shkuar në ekspertiza të llojllojshme. Fillimisht është bërë ekspertiza e aspektit psikologjik të tij, dhe është dalë nga institucioni përkatës në Kosovë se gjendja psikike ishte krejtësisht normale dhe në rregull. Gjendje normale e një personi që ka qenë i mbajtur për 78 ditë pa u marrë në pyetje kurrë dhe këto janë bërë ekspertiza të caktuara psikologjike që gjendja e tij ka qenë krejtësisht normale dhe nuk ka pasur kurrfarë indicie për shqetësime”, ka thënë Gashi.
Ai nuk ka dashur të tregojë se a e kanë lexuar ditarin prindërit e Astrit Deharit.
Gashi ka hedhur sërish akuza në drejtim të prokurorit të rastit, Afrim Shefkiu, për të cilin thotë se nuk e ka zbuluar në tërësi ekspertizën zvicerane. Sipas Gashit, Shefkiu është dashur të merrej me personat që i kanë dërguar prova të manipuluara në Zvicër.
“Me siguri prokurori Afrim Shefkiu e ka detyrën kryesore nëse dëshiron me informu opinionin për çkado por edhe ky prokuror ka zgjedhur vitin e kaluar kur kemi marrë një ekspertizë shtesë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Zvicër që të publikojë gjetjet, ndërsa nuk e ka publikuar brendinë e ekspertizës ku është vërtetuar nga instituti zviceran që kemi pasir manipulim të provave dhe prokurori të merret se kush i ka dërguar ato prova të manipuluara në Zvicër. Ai thjesht filloi me luftu rastin e tij të cilin e ka të hapur”.
Gashi ka thënë se prokurori Shefkiu është dashur të zgjerohej në hetim. Thotë se në mënyrë institucionale është tentuar të manipulohej me rastin, duke i dërguar pliko të zbrazëta, e që në to është supozuar të jenë mbetjet e thonjve të të ndjerit.
“Këto janë prova të pakontestuara që dikush po dëshiron diçka të fsheh në rastin e Astrit Deharit. Nëse ne e kemi në mënyrë të padiskutueshme. Këta tanët kanë dërguar pliko të zbrazëta në tentim për t’i mashtruar vetë zviceranët. Pliko të zbrazëta me mbetje të thonjve që nuk kanë ekzistuar hiç, pra i kanë dërguar të zbrazëta. Kur zviceranët e kanë vërejtur këtë dhe është kthyer ekspertiza ku thotë se ‘pliko të mbetjeve të thonjve kanë qenë të zbrazëta’. Për ta mbuluar në mënyrë institucionale këtë skandalin e vet që e kanë bërë, këta e marrin një vërtetim nga institucionet tona dhe thuhet se ‘i kemi dërguar gabimisht’ sepse mbetjet që janë marrë gjatë obduksionit të trupit të pajetë, i kemi harxhuar të gjitha gjatë ekspertizës. Pra i bie që nuk mund të bëhet ekspertizë tjetër se i kemi harxhuar të gjitha”, u shpreh Gashi.