Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci vizitoi dy familje të vyera në zonën e Mitrovicës.
Ai fillimisht vizitoi familjen e Sabit Grepi në fshatin Kushtovë të Mitrovicës, ku ky i fundit do të ndërtojë një stallë të re me një projekt të aprovuar nAgjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë në kuadër të Programit për Zhvillim Rural – Grante 2022.
“Ministri Peci vizitën e parë e realizoi në familjen e Sabit Grepit, pensionist nga fshati Koshtovë e Mitrovicës, projekti i së cilit është aprovuar në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë në kuadër të Programit për Zhvillim Rural – Grante 2022, e që ka të bëjë me ndërtimin e një stalle të re në të cilën do të vendoste të 17 krerët me lopë e viça. Z. Sabiti, pos mbarështues i kafshëve, posedon gjithashtu rreth 2.5 hektarë tokë të veten, ndërsa merr me qira edhe 12.5 hektarë në të cilat kultivon grurë, misër, 500 trupa mollë, kullosë e jonxhe. Gjithashtu, vitin që lamë pas i njëjti ka qenë përfitues i subvencioneve, si dhe i janë kompenzuar dëmet nga breshëri në pemishten e tij”, thuhej në njoftim.
Familja tjetër e cila e mirëpriti në vizitë Ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, ishte familja e Fehmi Gashit, e cila me punën e saj të zellshme, nuk kishin lënë asnjë pëllëmbë edhe të oborrit pa punuar.
“z. Gashi është kultivues i rreth 100.000 fije sallatë, dhe njëherit mbarështues i rreth 120 krerë dele e qingja së bashku. Fehmiu, gjithashtu posedon edhe 35 koshere me bletë nga të cilat nxjerr në vit afër 200 kg mjaltë. Brenda vitit ai mbjell e kultivon edhe spinaq e magdanoz”, thuhej në njoftim.
Pas këtyre vizitave, Ministri i BPZhR-së, Faton Peci u shpreh duke thënë që ne, përveç se kemi rritur përkrahjen financiare, gjithashtu kemi instaluar meritokracinë, gjë e cila ka bërë që këtyre bujqve tanë t’iu ulen shpenzimet e kultivimit e mbarështimit, falë dorës së shtetit.