Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në mbledhjen e saj të fundit ka miratuar tarifat e reja për energjinë elektrike.
Duke filluar nga 1 prilli, rryma do të shtrenjtohet për rreth 15 për qind bazuar në këto tarifa.
“Për konsumatorët deri 350kWh rritja do të jetë 2 euro e 8 cent, mbi 450kWh rritja do të jetë 4 euro, kurse për konsumatorët mbi 800kWh rritja 7 euro”, u tha në mbledhjen e ZRRE-së.
Sipas ZRRE-së, kjo rritje ka ardhur për arsye se ende çmimet e importit për energji mbesin të larta.
Kujtojmë se ZRRE-ja më 9 shkurt 2022 kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike. Me këto tarifa, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800kWh rrymë në muaj, paguajnë më shtrenjtë. Sipas llogaritjeve të ZRRE-së, rreth 20 për qind e konsumatorëve shpenzojnë më shumë se 800kWh në muaj.
Nga data 1 tetor deri më 31 mars, në Kosovë aplikohet tarifa e ulët e rrymës, prej orës 22:00 deri në 07:00. Ndërsa, nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e ulët vlen nga ora 23:00 deri në 08:00.