Gjykata Themelore e Ferizajt ka kërkuar që të dyshuarit kryesor për vrasjen e Marigona Osmanit, Dardan Krivaçës, t’i bëhet ekspertizë psikiatrike.
Nga familja e 18-vjeçares janë shprehur të shokuar me këtë veprim të gjykatës. Babai i së ndjerës, Muhabi Osmani, ka thënë se do të kërkojnë super-ekspertizë për këtë rast.
“Ne jemi duke pritë që sa më shpejt gjykata ta ftojë seancën e radhës. Unë nuk besoj që ka mjek psikiatrik që do të nënshkruajë se ai është i sëmurë apo i çmendur. Ne kemi nejtë personalisht me të. Nuk është ai. Nuk do ta pranojmë kurrë, nëse ata mendojnë që është i çmendur. Nuk është e vërtetë. Ai është njeri normal, ai e ka ba me vetëdije”- ka thënë për Nacionalen Muhabi Osmani.
Ai ka treguar se nëse dokumentohet se Krivaçka ka probleme psikiatrike, atëherë ata si familje, përmes avokatit të tyre, Gazmend Rexhepi, do të kërkojnë ekspertizë ndërkombëtare.
“Kur kemi marrë vesh që është aprovu kërkesa e mbrojtjes së tij për ta rishikuar rastin psikologjik, ne kemi qenë të shokuar, për arsye se ai nuk është njeri i sëmurë. Nëse gjykata merr vendim në favor të tyre, ne do të kërkojmë super-ekspertizë jashtë Kosovës”- thotë tutje Osmani.
Ai thotë se kanë informacione se persona të caktuar po duan të kenë ndikim te procesi gjyqësor sa i përket kësaj çështjeje.