Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar 24-vjetorin e masakrës në fshatin Studime të Vushtrrisë.
Kurti në një postim në Facebook ka thënë se forcat serbe nxorën nga kolona dhe i pushkatuan 116 civilë shqiptarë, si dhe ekzekutuan fëmijë para syve të prindërve, vranë të rinj e pleq, e edhe gra shtatzëna.
“Nё ditёt e para tё muajit maj 1999, forcat serbe dogjën fshatrat e Vushtrrisë dhe dëbuan me dhunë banorët . I urdhëruan tё largohen drejt Shqipёrisё. Më 2 maj të vitit 1999, në fshatin Studime të Vushtrrisë, forcat serbe nxorën nga kolona dhe i pushkatuan 116 civilë shqiptarë. Ekzekutuan fëmijë para syve të prindërve, vranë të rinj e pleq, e edhe gra shtatzëna. Familjes Gërxhaliu ia vranë 36 anëtarë, nga mosha 85 vjeç deri në 5 vjeç. Në këtë 24 vjetor përkujtojmë martirët e Masakrës së Studimes së Vushtrrisë”.
Ai tutje ka shkruar “se e kaluara jonë është vendimtare për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Gjaku i derdhur për liri nuk shlyhet kurrë, siç nuk mund të shlyhen krimet e Serbisë në Kosovë”.
Kurti i ka bërë thirrje sistemit të drejtësisë që të veprojë për ndriçimin e së vërtetës.
“Dënime për kriminelët e luftës dhe drejtësi për viktimat. Krimet e luftës nuk parashkruhen as vjetërsohen. Vuajtjet e popullit tonë janë të njoma përherë. I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë martirët dhe dëshmorët e lirisë!”, ka thënë Kurti.
DTV