Haxhiu raporton para anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Integrim Evropian për reformat në drejtësi

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka raportuar para anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane lidhur me reformat në fushën e drejtësisë dhe përmbushjen e veprimeve të ministrisë sipas Agjendës për Reformë Evropiane dhe Programit për Zbatimin e MSA-së.

Ministrja Haxhiut shprehu keqardhjen për mungesën e opozitës në Komision derisa po raportonte për çështjet siç tha të rëndësishme që kanë të bëjnë me Reformën  Evropiane.

Në fjalën e saj, ministrja Haxhiu tha se për vitet 2021, 2022 dhe 2023, Ministria e Drejtësisë ka pasur gjithsej 35 masa dhe obligime sipas Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, që disa prej tyre janë edhe pjesë e ERA 2 – Agjendës për Reformë Evropiane.

“Nga obligimet e tilla, më lejoni të ju informoj se 26 masa janë zbatuar tërësisht, prej të cilave, 4 masat e parapara për vitin 2023 janë duke u zbatuar sipas afatit”, tha ministrja Haxhiu.

Në kuadër të reformave kyçe, ministrja Haxhiu tha se Ministria e Drejtësisë ka hartuar Strategjinë për Sundimin e Ligjit, e cila për vitin 2022 arrin zbatimin në 88 për qind si dhe janë paraparë ndryshimet kushtetuese për Vetingun , ndryshime këto që do të përmirësojnë qasjen në drejtësi.

Po ashtu, ministrja Haxhiu si pjesë të reformës në drejtësi, përmendi edhe nënshkrimin e Deklaratës së Përbashkët të Zotimit mes Ministrisë së Drejtësisë dhe akterëve kyç të sistemit të drejtësisë, Projektligjin për Byronë Shtetërore dhe për Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme si dhe tri Ligje të tjera që kanë të bëjnë me sistemin prokurorial.

Tutje para anëtarëve të Komisionit, ministrja Haxhiu foli edhe për hartimin e legjislacionit që ka sjell reforma në fushën penale dhe civile, në fushën e  bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, në adresimin e krimeve të luftës, në fushën e drejtësisë administrative dhe të punës si dhe në luftën kundër dhunës në familje.

 

 

DTV

Leave a Reply

Your email address will not be published.