Edhe pse kanë kaluar 5 vite nga mbajtja e seancës së fundit, të mërkurën ka dështuar sërish në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjykimi për fajde ndaj të akuzuarve Enver Avdullahu, Rrahim Sallahu, Fatlum Abazi dhe Bujar Avdullahu.
Në këtë rast, të akuzuarit Enver Avdullahu, Rrahim Sallahu, Fatlum Abazi dhe Bujar Avdullahu, ngarkohen se duke shfrytëzuar pozitën materiale të të dëmtuarit Kushtrim Musliu, gjatë periudhës 2011-2015, i kishin dhënë atij borxh shuma të ndryshme të parave dhe mjeteve motorike, në të cilat shuma edhe kishin marrë fajde.
Lajmin për dështimin e sërish të kësaj seance e ka bërë të ditur mbrojtësi i të akuzuarit Bujar Avdullahu, avokati Forent Latifaj.
Sipas avokatit Latifaj, me kërkesë të njërit nga dëshmitarët për arsye shëndetësore dhe të vetë palës së dëmtuar, pasi që kanë pasur një urgjencë, ka ardhur deri te dështimi i seancës.
“Betimi për Drejtësi” ka dërguar kërkesë për informata pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë për t’u njoftuar lidhur me arsyet e dështimit të gjykimit, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli ende nuk kemi pranuar ndonjë përgjigje.
Seanca e radhës për këtë çështje, pritet të mbahet më 17 korrik 2023.
Ndryshe, për këtë rast edhe seancat e caktuara më 16 janar 2023, 14 shkurt 2023, 16 mars 2023 dhe 17 maj 2023, nuk ishin mbajtur.
Prokuroria Themelore në Prishtinë në prill të 2016-ës, ka ngritur aktakuzë kundër Enver Avdullahut, Rrahim Sallahut, Fatlum Abazit dhe Bujar Avdullahut, nën dyshimin se duke shfrytëzuar pozitën materiale të të dëmtuarit Kushtrim Musliu, gjatë periudhës 2011-2015, i kishin dhënë atij borxh shuma të ndryshme të parave dhe mjeteve motorike, në të cilat shuma kishin llogaritur dhe marrë fajde. Këto fajde, sipas aktakuzës, në borxhin që i dëmtuari e ka marrë, i janë llogaritur në shuma javore, mujore, të cilat sipas aktakuzës, disa herë kishin kaluar shumën e parave të marra borxh.
I akuzuari Enver Avdullahu akuzohet se nga shuma që i dëmtuari kishte marrë borxh 19,200 euro, i pandehuri ka llogaritur borxhin në shumën prej 64,100 euro, të cilës shumë po ashtu i shtohen edhe vlerat e veturave “Opel Corsa”, në vlerë prej 3,300 euro (viti 2012), “Fiat Punto” në vlerë prej 2,100 euro (viti 2013), “Golf 5” në vlerë prej 10,000 euro (viti 2013) dhe një “Audi A6”, në vlerë prej 12,500 euro (viti 2014), ku përpos të gjitha këtyre, i pandehuri kërkon në emër të fajdesë edhe shumën prej 8,000 euro, i cili raport ka mbetur i hapur.
I pandehuri Rrahim Sallahu akuzohet se gjatë periudhës 2012 e deri në ditën e arrestimit, i dëmtuari kërkon dhe merr 7,000 euro borxh, i cili borxh pas tre muajve, në emër të fajdesë bëhet 10,000 euro, pastaj më vonë merr edhe shumën prej 4,000 euro, për t’ia kthyer 4,400, për çka si garancion lë veturën e tipit “Golf 5”, në vlerë prej 6,500 euro. Pastaj, gjithnjë sipas aktakuzës, në shkurt të vitit 2014, prapë i dëmtuari kërkon dhe merr borxh nga i pandehuri Sallahu shumë prej 20,000 euro, me kamatë mujore prej 5%.
I pandehuri Fatlum Abazi akuzohet se gjatë periudhës 2011-2015 i jep borxh të dëmtuarit shuma të ndryshme të parave dhe mjete motorike, në të cilat llogaritë dhe merr fajde. Sipas aktakuzës, i dëmtuari ka marrë nga i pandehuri para borxh në shumën totale prej 37,700 euro, derisa është dashur t’i kthej 80,350 euro.
Me këtë, Enver Avdullahu, Rrahim Sallahu dhe Fatlum Abazi po akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Fajdesë” nga neni 343, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër kjo ku kryerësi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) deri në dymbëdhjetë (12) vjet.
Kurse, të pandehurit Enver Avdullahu dhe Bujar Avdullahu në bashkëkryerje për periudhën 2014-2015 kishin marrë në emër të fajdesë shumën 7,700 euro, ndërsa në vitin 2013 shumën prej 3,300 euro.
Në bashkëkryerje këta po akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Fajdesë” nga neni 343, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet.
DTV