Granit Xhaka e kompletoi një tjetër ndeshje si kapiten i Zvicrës.
Xhaka me Zvicrën të premten mbrëma fitoi ndaj Andorrës me rezultatin 2:1 dhe tani ka tri fitore në po aq ndeshje të luajtura në kualifikimet për “Euro 2024”.
Kontribut në fitoren e Zvicrës dhanë edhe Xherdan Shaqiri me asistim në golin e dytë, ndërsa Andi Zeqiri u inkuadrua në minutën e 61-të.
“Ishte shumë vështirë të luanim këtu. Por më e rëndësishmja është që morëm pikët e plota. Pas ndeshjeve askush nuk pyet se si përfundoi ndeshja. Nëse fitojmë të hënën, do të jetë në rregull. Rumunët gjithmonë kanë pasur futbollistë të fortë. Por do ta analizojmë kundërshtarin për t’i fituar tri pikë tjera në shtëpi”, theksoi Xhaka.
Xhaka natyrisht se pas ndeshjes është pyetur edhe për të ardhmen e tij në nivel klubesh.
Por ai ka thënë se një gjë e tillë do të mësohet pas ndeshjeve kualifikuese të këtij muaji.
“Për momentin jam duke e shijuar qëndrimin te Përfaqësuesja e Zvicrës. Më pas do ta dini se cila do të jetë e ardhmja ime”, është shprehur Xhaka.
Futbollisti i Arsenalit raportohet se ka nënshkruar kontratë me Bayer Leverkusenin. Ai pritet të largohet nga “Topçinjtë” pas shtatë sezonesh.