Federata Ruse për herë të parë zyrtarisht i është referuar vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, duke e përdorur për justifikimin e pushtimit dhe aneksimit të territoreve të Ukrainës, pas mbajtjes së referendumeve të rreme.
Ministria e Punëve të Jashtme e Federatës Ruse tha se referendumet e rreme “u mbajtën në pajtim të plotë me standardet dhe parimte e së drejtës ndërkombëtare” dhe menjëherë iu referua edhe pavarësisë së Kosovës.
“Populli i Donbasit dhe i Ukrainës jugore ushtroi të drejtën legjitime për vetëvendosje në përputhje me Kartën e OKB-së, marrëveshjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut nga viti 1966, Aktin Final të Helsinkit të OSBE-së të vitit 1975 dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të OKB-së për Kosovën më 22 korrik 2010. Kjo e fundit ka konfirmuar se shpallja e njëanshme e pavarësisë së një pjese të vendit nuk cenon asnjë normë të së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e ministrisë së jashtme ruse.
Për këtë ka reaguar edhe analisti politik Agon Maliqi.
“Putin shpesh ka bërë paralele politike, por kjo është hera e parë që Ministria e Jashtme e Rusisë i referohet specifikisht vendimit të GJNK-së për Kosovën për të argumentuar se pavarësia e rajoneve të Ukrainës është në përputhje me ligjin ndërkombëtar”, ka shkruar Agon Maliqi.