“Të krijohen mendime negative për njerëzit që kanë kontribuuar ose nuk kanë kontribuuar, që kanë shkatërruar shtetin ose që kanë keqpërdorur pozitën nuk gjykohen, përmes Facebook-ut, por denoncohen në prokurori dhe në gjykatë”, ka deklaruar Haliti.
Lëvizja Vetëvendosje përmes një videoadresimi në Facebook, ka kritikuar opozitën, duke thënë se janë duke u rigrupuar dhe lufta e tyre ndaj shtetit ka kaluar në një nivel tjetër.
LVV thotë se “shkatërruesit” e shtetit që nuk duan ta shohin Kosovën mirë për 20 vite kanë qeverisur vendin duke iu referuar partive opozitare.
Ndaj kësaj video të LVV-së kanë reaguar ashpër subjektet opozitare.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti ka thënë se LVV në vend së të kërkojnë llogari në Facebook, duhet t’iu drejtohen organeve të shtetit.
Krahas kësaj, ai ka thënë se nuk sheh asnjë projekt të realizuar nga ana e LVV-së, përgjatë kohës së qeverisjes së saj.
“Akrobacionet të tipit të njerëzve të ligj, i quaj gjëra të cilat ata që i bëjnë duhet të japin llogari para Gjykatave të Kosovës. Përveç sharjeve dhe shpërndarjeve të ndihmave për interesa elektorale, nuk kanë bërë asgjë. Nuk po shoh projekte të realizuara nga ta në Kosovë, nuk ka spitale, mirëmbajtje të rrugëve, është ndërprerë ndërtimi i ujësjellësve”, ka deklaruar ai në RTV Dukagjini.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se partia në pushtet (Lëvizja Vetëvendosje), i është kthyer propagandës së mashtrimit.
Sipas Hotit, LVV-ja do të duhej që të promovonte investime të reja si në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, kulturë e sektore të tjera, dhe jo të merret me “shantazh ndaj atyre që e kundërshtojnë atë”.
“Pas një viti e gjysmë në qeverisje, në vend që partia në pushtet të promovojë rrugë të reja, shkolla e spitale të reja, njohje të reja për shtetin e Kosovës, stadiume sipas standardeve të FIFA-s, furnizim me ujë për fshatrat që ende nuk kanë ujë, investime në sisteme të ujitjes në bujqësi, ajo parti i kthehet propagandës së mashtrimit, shantazhit ndaj atyre që e kundërshtojnë dhe fajësimit të qeverive të mëparshme për mungesën e rezultateve të veta”, ka thënë Hoti.
Lidhur me këtë çështje, ka reaguar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Nga kjo parti opozitare kanë thënë se VV po shpërndan gënjeshtra apo gjysmë të vërteta, dhe të vërteta të shtrembëruara, në mënyrë që të diskreditojnë kundërshtarin.
Zëdhënësi i kësaj partie, Lulëzim Blaka, ka theksuar se “prodhimi i fundit i agjitacionit dhe propagandës së VV-së, është shpërfaqje e metodave manipulative të tyre, metoda të përdorura gjatë tërë ekzistencës së tyre të fëlliqur në politikën kosovare”, ka deklaruar Blakaj.