Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Petrit Hajdari, pëmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se qeveria po i maskon problemet dhe sipas tij, “koha është me e vështirë se kurrë”.
“Në kohën kur nuk janë ekzekutuar pagat e mësimdhënësve, në vend që ta shihnim kryeministrin duke u rrekur t’i zgjidhte problemet e kategorive të ndryshme në Kosovë, atë e shohim duke nënshtruar një pjesë, e duke tentuar ta gozhdojë pjesën tjetër”, shkruan Hajdari.
Hajdari ka shkruar edhe për video-spotin e Vetëvendosjes ku i ka akuzuar ish-pushtetet për “shkatërrimin 20 vjeçar”.
“Në fillim thoshin nuk merremi me opozitën, tani që e kanë ndjerë në palcë frikën e panikun nga rënia e mbështetjes, nxjerrin video me të cilat godasin njerëzit që janë në Hagë e s’mund të flasin për ta mbrojtur veten nga këto damkosje”, ka shkruar ai.
Anëtari i PDK-së “i lutet” kryeministrit Kurti që të merret me problemet për të cilat iështë votuar.
“Nuk ka askush plan të të rrëzojë, do të stërkeqesh edhe më keq se kaq dhe do të bëhesh për mëshirë me humbjen fatale të përkrahjes”, mendon Hajdari.
Por, s’është puna te përkrahja. Është puna te ngecjet për të qeverisur. Ti nuk di dhe nuk do të mësosh. Vendi yt, jo që nuk është në histori, por nuk është as në qeveri.
Këtë, më shpejt se që ta merr mendja, do të ta thotë qytetari.