Reperi gjilanas, Feronit Shabani, i njohur me emrin artistik Fero, shpeshherë është futur në telashe me shtetin. I njohur për shumë vepra të cilat bien ndesh me ligjin, ndër vite atij s’i kanë munguar incidentet të cilat i kanë kushtuar me heqje lirie. E kështu ndodhi gjatë ditës së djeshme, pasi i njëjti u arrestua nën dyshimet për dhunë në familje.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se kësaj here Fero dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, modeles së njohur, Arbenita Ismajli.
Kjo e fundit e shqetësuar dhe në gjendje të rëndë është larguar nga banesa ku bashkëjeton me të dyshuarin dhe vajzën e tyre dhe ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës.
Sipas dëshmisë së Arbenitës, pas një konflikti verbal me Feron, ai ka eskaluar në dhunë fizike duke e goditur me grusht e më pas ia ka thyer edhe telefonin e saj personal. I njëjti dyshohet ta ketë kërcënuar me jetë, duke i thënë se do e vrasë nëse ia merr vajzën.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arritur që ta arrestojnë Feron, i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të Feros t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Dhunë në familje”.