Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pas rrahjes së sotme në Kuvendin e Kosovës.
Postimi i plotë i Albulena Haxhiut:
Nuk do mend për të kuptuar se të tillët dëshpërimisht hedhin grushte, pasi që të njejtët po përballen e do të përballen me ligjin, për të gjitha krimet dhe korrupsionin e po ashtu pasurimin e tyre të jashtëligjshëm.
Qeveria Kurti nuk ka asnjë ministër a zëvendësministër të kontrolluar nga Beogradi. Ata që nxitën dhe ndihmuan për kaq vite krimin e organizuar në veri, si Lista Srbska nuk janë në koalicion siç ndodhte me qeveritë e dikurshme. Madje krerët e tyre po hetohen nga institucionet e drejtësisë, e bashkëpunëtorë të tjerë të këtyre strukturave po arrestohen në veri të Mitrovicës.
Një sërë hapash janë ndërmarrë drejt shtrirjes së sovranitetit e ligjvënies në veri të vendit, atje ku pushtetet e kaluara kishin lejuar madje edhe amnistuar krimet e strukturave paralele serbe për vite me radhë.
Rrugët alternative të krimit dhe kontrabandës u ndërprenë nga Policia e Kosovës. Baza të shumta të policisë u krijuan atje, me qëllim të vënies së rendit ligjor në atë pjesë.
Dhuna ndaj ministrave vjen si paknaqësi e këtij rezultati, ku edhe biznesmenët e bashkëpunëtoret e tyre po pësojnë dukshëm.
Grushtat e atyre që janë pasuruar në kurriz të popullit tentojnë të godasin Qeverinë e cila po i dobëson seç herë e më shume banditët e tillë.
Policia po arreston edhe ata që kanë ndihmuar grupet bandideske, por sjellja e disa deputetëve të PDK-së tregon se kjo sikur po iu pengon.
Megjithatë, rendi dhe kushtetushmëria nuk ndalen, dhe këtë e garanton populli i Kosovës, dëshmitarë të veprimeve të gjithësecilit.
Mbesim të përkushtuar për drejtësi, dhe për zbatim të ligjit pa dallim, edhe ndaj atyre që kanë dëmtuar shtetin dhe shoqërinë, atyre që janë pasuruar padrejtësisht.
Drejtësia do të veprojë edhe më shpejtë se që mund të kenë menduar ata!