Partia Socialdemokrate (PSD) që udhëhiqet nga Dardan Molliqaj ka konfirmuar se do të marrin pjesë në protestën e nesermë (të së shtunës) në ora 18:00 kundër Qeverisë së Kosovës.
Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi konfirmoi se do të t’i bashkohen thirrjes së veteranëve të UÇK-së, të cilët dje përfundimisht u lanë jashtë Ligjit për Pagën Minimale që kaloi në orët e vona në Kuvendin e Kosovës.
Gjithashtu edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do ta mbështesë dhe do të merr pjesë në protestën e thirrur për nesër.
“Po e mbështesim protestën e thirrur për nesër nga OVL UÇK dhe do të marrim pjesë”, na tha zoti Xhemaili.
Protesta është njoftuar për nesër në ora 18:00, ka bërë të ditur kryetari i OVL UÇK-së, dega në Pejë, Gazmend Syla.
“Kundër koordinimit me Milan Radojçiqin! Kundër shkeljes së të drejtave të luftëtarëve të UÇK! Ligji që përjashton veteranët nga paga minimale, u votua turpshëm nga shumica parlamentare. Prandaj kërkojmë nga presidentja që ta kthejë mbrapsht këtë ligj të padrejtë dhe anti-UÇK”, është thënë në njoftim.