Kosova fiton edhe në Zvicër, finalja e pret me Danimarkën

Kosova ka mposhtur sërish Zvicrën. “Dardanët” të shtunën në Fribourg të Zvicrës, fitoi ndeshjen e tretë të fazës së tretë të parakualifikimeve për “Eurobasket 2025”, me rezultatin 76:72. Ndeshja i takoi Grupit H.

Zviceranët kishin krijuar epërsi të cilën e mbajtën deri në minutën e fundit të ndeshjes. Por mbrojtja e fortë dhe sulmi efikas, bënë që Kosova të fitojë dhe të mbajë gjallë shpresat për ta fituar grupin, e për t’i siguruar kualifikimet e rregullta.

Pikët e Muhamedali Janjevës nga gjuajtja e lirë e kaluan në epërsi Kosovën 73:72, kur kishin mbetur edhe 37 sekonda deri në fund të ballafaqimit.

Në aksionin e radhës të Zvicrës, Arian Çallakaj e rrëmbeu topin, por pas luftës për ta mbrojtur atë, e nxori jashtë vijave.

Zvicra dështoi të realizonte në aksionin që e pati, ndërsa Drilon Hajrizi bëri kërcim në mbrojtje.

Në aksionin e Kosovës u shkaktua faull, ndërsa Dominic Artis e shënoi vetëm një gjuajtje të lirë për 74:72. Më pas e rrëmbeu topin në aksionin e Zvicrës, e në të u shkaktua faull tjetër.

Artis shënoi dy herë sërish nga gjuajtja e lirë për rezultatin final, 76:72. Artis ishte më i miri në parket te Kosova me 22 pikë, gjashtë kërcime e katër asistime.

Kontribut dha edhe Drilon Hajrizi me 17 pikë e tetë kërcime, kurse Dardan Berisha realizoi 14 pikë, 4 kërcime e dy asistime.

Yanic Konan Niederhauser te Zvicra pati 14 pikë e gjashtë kërcime, por që nuk mjaftuan për ta shmangur humbjen.

Tri çerekë i fitoi Zvicra, 21:20, 18:15 dhe 22:21. Por në çerekun e fundit, Kosova fitoi 20:11. Kosova, Zvicrën e kishte mposhtur edhe në ndeshjen e parë, 76:49. Në duelin e dytë pësoi humbje në Danimarkë, 82:75.

Tani finalen e fundit do ta ketë në “Sezai Surroi” në Prizren, më 5 gusht. E pret Përfaqësuesen e Danimarkës, por i duhet fitorja me më shumë se shtatë pikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.