Kurti për largimin e policëve në veri: Po zbatojmë marrëveshjen e Bratislavës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se zvogëlimi i pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat e komunave në veri të vendit ka ndodhur pasi situata është më e qetë.

Sipas Kurtit, zvogëlimi për 25% i pranisë së Policisë së Kosovës në tri ndërtesat e komunave në veri të vendit është pjesë e planit që është hartuar tash e dy muaj.

Ai ka thënë se zvogëlimi i pranisë së policisë është bërë pas vlerësimit të gjendjes së sigurisë me drejtuesit e Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it.

“Nga sot filloi zvogëlimi edhe për 25% të tjera i pranisë së policisë së Kosovës në tri ndërtesat e komunave në veri të vendit tonë. Kjo vjen pas vlerësimit të gjendjes së sigurisë nga mbledhja që pardje mbajtën drejtues të Policisë së Kosovës me EULEX-in dhe KFOR-in. Pra, siguria është e mirë, situata është e qetë, dhe mund ta zvogëlojmë ca praninë e policisë sonë. Sundimi i ligjit dhe rendi publik po mirëmbahen gjithnjë e më shumë e më mirë. Janë bërë rreth një muaj e gjysmë që nuk kemi incidente të theksuara e protesta të dhunshme. Falënderojmë policinë dhe qytetarët pa dallim për bashkëpunimin dhe korrektësinë. Ashtu qysh kemi thënë para më shumë se dy muajve: 1) nuk do të ketë zvogëlim të përnjëhershëm dhe as të menjëhershëm të pranisë së policisë, por vetëm gradual e proporcional; 2) zvogëlimi vlen për praninë policore në ndërtesat komunale dhe rrethinat e tyre, e jo për veriun e vendit, ku ka ende sfida e punë për sundim të plotë të rendit e ligjit”, thuhet në postimin e kryesministrit Kurti në Facebook.

Kurti ka shtuar se janë duke zbatuar me përgjegjësi dhe seriozitet marrëveshjen e Bratisllavës

“Ne po zbatojmë me përgjegjësi dhe seriozitet, sinqeritet dhe kujdes, marrëveshjen e Bratisllavës nga 10 korriku 2023 në funksion të kërkesave të BE-së nga 3 qershori 2023 për de-eskalim. Konstatimi i përbashkët me faktorët ndërkombëtarë për përmirësimin e dukshëm të nivelit të paqes dhe sigurisë në veri dëshmon për de-eskalim të qartë. Njëkohësisht, ne jemi vigjilent për ri-eskalimin potencial që mund të vijë nga deklaratat që nxisin urrejtje dhe agresiviteti politik e shtetëror i fqinjit tonë verior”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka shtuar se janë të vetëdijshëm se situata mund të eskaloj përsëri, por sipas tij organet e rendit janë në gatishmëri. Ai ka bërë thirrje për qytetarët që të mos bien pre e dezinformatave.

“Njëkohësisht, ne jemi vigjilent për ri-eskalimin potencial që mund të vijë nga deklaratat që nxisin urrejtje dhe agresiviteti politik e shtetëror i fqinjit tonë verior. Ftojmë qytetarët që të mos bien pre e dezinformatave të ndryshme, prej atyre që janë pasojë e keqkuptimit, moskuptimit a keqinterpretimit të situatës dhe zhvillimeve e deri tek ato që janë dëshira anti-qeveritare të transmetuara publikisht si lajme faktike. Lufta hibride kundër Republikës së pavarur të Kosovës dhe qeverisë së saj demokratike e progresiste do të dështojë”, shkroi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.