Prej kohësh, Haki Abazi shpreh tërthorazi pakënaqësitë ndaj partisë së tij dhe Qeverisë së Albin Kurtit. Të premten, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje ka vendosur të dalë e të flasë para të gjithëve.
Haki Abazi dha lajmin se të premten në orën 10:00 do të deklarohet para gazetarëve. Gjatë gjithë kohës së Qeverisë Kurti II, Abazi ka shprehur pakënaqësi ndaj Qeverisë dhe partisë pasi nuk ka arritur ta deklarohet për shkak të kufizimeve që ka vendosur VV për deputetë. Pakënaqësit e tij duket se janë thelluar. Çfarë do të kumtojë nesër ai?
“Që nga fundi javës së ardhshme saktësisht nga ora 10:00, të premten në kapacitetin e Deputetit të Parlamentit të Kosovës dhe përfaqësuesit të votës qytetare, do të mbaj konferencë për shtyp lidhur me qëndrimet dhe vlerësimet për proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon vendi ynë”, njoftoi deputeti i Vetëvendosjes.
Vetëvendosje ka aplikuar një metodë të kontrollit të deputetëve duke ua dhënë fjalën vec atyre për të cilat vendosen në grupin paralmentar, ku nominalisht pyetet Mimoza Kusari -Lila. Se sa të vështirë e kanë të arrijnë te mikrofoni deputetët e VV’së, ka folur publikisht deputeti Jahja Kokaj.
Nuk dihet saktë nëse Abazi do të dalë para gazetarëve pikërisht për shkak të këtyre kufizimeve,a po do të kumtojë diçka tjetër.
“Këtë të Premte do të paraqitem për çështjet dhe zhvillimet në Politikën e Jashtme dhe çështjet lidhur me energjinë dhe krizën energjetike dhe rolin dhe hapësirën për deputetin. Uroj deri të premten debati për pagat të përmbyllet”, ka shkruar Abazi të mërkurën në Facebook.
Abazi mbante pozitën e Zëvendëskryeministrit në Qeverinë Kurti 1, por më vonë iu kufizua hapësira. Por, nuk dihet se a ka ndodhur kjo me vullnetin e tij, apo të liderit.
Abazi ka qenë aktiv kaherë në Facebook, ku zakonisht ka bërë betejat e tij me kundërshtarët. Së fundmi, ka nisur po aty të shprehë pakënaqësi ndaj pushtetit, që e ka partia e tij.
Para disa ditëve Abazi shkroi për “servilë” e “paçavra”, me të cilët, sipas tij po tentohet të zhvillohet shteti. Ai fliste edhe për rehabilitim të atyre që kanë qenë bashkëpunëtorë të pushteteve të kaluara.
“Pyetja është nëse me servilë e poçavra të ndyra mund të ndërtohet e zhvillohet shteti? A duhet ndryshimi të reduktohet në rehabilitim të atyre që i kanë shërbyer në një formë atij sistemi të korruptuar e kriminal që synohet të ndryshohet!?”.
Së fundmi, Abazi ka zbuluar se nuk është i kënaqur as me qasjen për dialogun Kosovë – Serbi.
“Edhe në fillim ka qenë e gabuar hyrja e Kosovës në dialog me Serbinë, mirëpo edhe sot kur vazhdon ky dialog është qasje e gabuar. Kjo sepse është një koncept i “pushkës së mbushur” për Serbinë, e për të cilën po shihet qartazi që nuk ka asnjë interes të ketë marrëveshje me Kosovën”, tha Abazi para disa javësh në një intervistë televizive.
Haki Abazi ishte bërë zyrtarisht pjesë e partisë së Albin Kurtit në gusht të 2019, pak para fushatës zgjedhore.
Atë e kishte prezentuar Kurti, me një biografi të shkurtër me plot vlerësime për të. Haki Abazi, shkruante Kurti, ka punuar dhe jetuar në 120 shtete në këto 20 vjet.
‘Njohuritë e gjera dhe eksperienca zhvillimore e Hakiut në Kosovë dhe vende të ndryshme nëpër botë, e bëjnë atë një vlerë të shtuar në Lëvizjen tonë”, shkruante Kurti për ardhjen e Abazit.