Ky kallëzim penal pretendon se Murati e Spahiu kanë bërë “Shkeljen e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës” nga neni 190, “Cenimin e të drejtave në marrëdhëniet e punës” nga neni 218, “Cenimin e të drejtës në grevë” nga neni 221, në lidhje me nenin 414 “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, i Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës sot ka dorëzuar kallëzim penal në Prokuorinë Speciale të Kosovës kundër Ministrit të Financave Hekuran Murati dhe U.D., sekretarit të kësaj ministrie Enis Spahiu, për çështjen e mosekzekutimit të pagave për rreth 25 mijë mësimdhënës që qëndruan në grevë për më shumë se një muaj.
Në kallëzimin penal të ushtruar kundër Muratit e Spahiut thuhet se pavarësisht përpjekjeve dhe takimeve të shumta me qeverinë, kjo e fundit asnjëherë nuk i mori seriozisht kërkesat e SBASHK dhe as pasojat nga vonesa e fillimit të vitit shkollor.
“Në këtë kuptim, qeveria ishte përgjegjëse për situatën e krijuar për shkak të mungesës së gatishmërisë për të lëvizur nga qëndrimi i saj (fillestar), përkundër faktit se SBASHK-u kishte qenë e gatshme për të rishikuar kërkesën e saj për shtesën financiare të kërkuar fillimisht”, thuhet në kallëzimin penal, të cilin e posedon Gazeta Express.
Si rrjedhojë, mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit në kallëzimin penal PDK e ka paraqitur si veprim të paligjshëm.
Më poshtë shihni të plotë kallëzimin penal:
Në një paraqitje para mediave Shefi i GP-së së PDK-së Abelard Tahiri njoftoi sot për dorëzimin e këtij kallëzimi penal, ku shtoi se se PDK e ka lëshuar edhe mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, si shenjë revolte për mosekzekutimin e pagave për rreth 25 mijë mësmidhënës.
“Lëshuam mbledhjen e kryesisë në shenjë revolte për mosekzekutimin e pagave për rreth 25 mijë mësimdhënës në nivelin lokal. E kemi thënë edhe me heret se ky është vendim i paligjshëm dhe veprim arrogat i një ministri të papërgjeshëm të Ministrit të Financave, i cili cënon një të drejtë bazike të 25 mijë mësimdhënësve. Kemi keqpërdorim të pozitës zyrtare nga ministri Hekuran Murati. Prandaj nuk do të marrim pjesë më tutje në mbledhje në përgatitje të seancës së radhës. Sot duhet të them që do të ngrejmë një kallëzim penal ndaj Hekuran Muratit dhe sekretarit Enis Spahiu, në këto momente vetëm se është duke u dorëzuar kallëzimi penal në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”, tha Tahiri.