Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se nga aksioni i sotëm në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe lokacione të tjera në pranga kanë përfunduar 3 persona të dyshuar.
Lidhur me këto ngjarje, e para e MINT, ministrja Rozeta Hajdari do të mbajë konferencë ku do t’i informojë për ngjarjet e fundit.
Konferenca do të mbahet nga ora 18:00.
Tre personat sot janë arrestuar nën dyshimin për veprat “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, si dhe “Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës – Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka realizuar sot bastisje në lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku kanë arrestuar tre (3) persona me inicialet R.M. H.G dhe I.L”- thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Tutje, Prokuroria ka bërë të ditur se gjatë bastisjes janë siguruar dhe sekuestruar prova materiale të cilat do të përdoren për procedurë të mëtutjeshme hetimore.
Të njëjtit, sipas njoftimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, do të dërgohen në mbajtje për 48 orë, si dhe brenda afateve ligjore kohore do të bëhet kërkesë për caktimin e paraburgimit.
Mëngjesin e sotëm, Policia kishte aksion në MINT dhe në pronat e Ridvan Muharremit, i cili më vonë edhe u arrestua.
Këto bastisje erdhën pas një publikimi të një audioincizimi të medias ‘Nacionale’ për rezervat shtetërore.
Dy zyrtarët e MINT, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica dëgjohen në disa audio-incizime të siguruara nga mediumi “Nacionale” duke thënë se vaji i paguar nga shteti i Kosovës nuk ka ardhur nga Polonia në Kosovë edhe pse për atë sasi shteti kishte paguar.