Është inauguruar sot në kryeqytet “Muri i Nderit”, në shenjë nderimi për sakrificën e shqiptarëve të Kosovës në shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit. Në murin që u vendos në Parkun e Qytetit prej sot do të qëndrojnë emrat e 23 familjeve që ndihmuan dhe shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit.
Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti, tha se ky mur është dëshmi e një miqësie të garantuar të popullit shqiptar dhe atij hebre, derisa e vlerësoi si frymëzim për brezat e ardhshëm.
Sipas tij, “Muri i nderit” është shtëpia e përbashkët e popullit hebre dhe popullit shqiptar, që i kushtohet jo vetëm historisë, por edhe prosperitetit.
“Ngjashëm me Kopshtin e të Drejtëve Ndër Kombe në memorialin e Madh të Holokaustit ‘Yad Vashem’, falë punës së përbashkët të Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Izrael dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, ne kemi zbuluar këtë pjesë të rëndësishme të historisë së dy popujve tanë. E megjithatë, rëndësia e këtij muri shkon përtej individëve që ky mur feston, muri jo vetëm përkujton aktet e tyre, por shërben edhe si monument për vlerat e përbashkëta dhe për miqësinë e garantuar të popullit të Kosovës dhe popullit hebre në mbarë botën. Hebrenjtë që ikën nga Evropa në gjysmën e parë të shekullit të 20-të dhe shqiptarët e Kosovës gjatë gjithë atij shekulli, e dinin se çfarë do të thoshte të privohesh nga shtëpia. Dhe për të dy popujt, ishte themelimi i një shteti, shteti i Izraelit dhe i shtetit të Kosovës, të cilat më në fund u dhanë atyre ndjenjën e fortë të shtëpisë, nga e cila i kishin privuar më parë. Muri i nderit që ne e dedikojmë sot tregon gjithashtu se populli hebre dhe ai shqiptar ndajnë një shtëpi në një kuptim kohor”, tha Kurti.