Objekti i Institutit Bujqësor, familja Bogaj thotë se e kanë blerë në mënyrë legjitime

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se ka nënshkruar vendim për lirimin e pronës së Institutit për Hulumtime Shkencore në Bujqësi që gjendet në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë.

Në atë pronë ka thënë se janë ndërtuar “ilegalisht 700 metra lokale afariste.

I mënjehershëm ka qenë reagimi i Yll Bogajt, i cili ka thënë se ministri Faton Peci e ka etiketuar pronën e tij si private si pjesë e Institutit të Bujqësisë.

Bogaj ka thënë se videoja siç shkruan ai shantazhuese e Pecit është vazhdimësi e shantazhit të tij publik që iu është bërë tash e një vit të plotë.

“Për më tepër, kulmi i çdo gjeje ka qenë dje kur kemi pranuar një “Vendim” të Faton Pecit, i cili në mënyrë krejtësisht arbitrare na kërkon që ta lirojmë pronën tonë legale brenda shtatë ditësh, nën kërcënimin e largimit tonë me forcë nga prona jonë private”, ka shkruar ndër të tjera ai.

Postimi i tij i plotë:

Reagim publik ndaj shpifësit, tashmë të paditur zyrtarisht, Faton Pecit.

Të nderuar qytetarë dhe media!

Në konsideratë ndaj kohës dhe vëmendjes tuaj, jemi të detyruar që të reagojmë publikisht ndaj një videoje të ministrit të Bujqësisë, Faton Pecit, përmes së cilës, ai e ka etiketuar pronën tonë private si pjesë e Institutit të Bujqësisë, duke synuar shantazhin publik, frikësimin dhe shpronësimin tonë nga “shenjtëria” dhe paprekshmëria e të drejtës pronësore e garantuar me ligj, kushtetutë dhe me norma e parime universale.

Videoja shantazhuese e Faton Pecit, është vazhdimësi e shantazhit të tij publik që na është bërë tash e një vit të plotë. Për më tepër, kulmi i çdo gjeje ka qenë dje kur kemi pranuar një “Vendim” të Faton Pecit, i cili në mënyrë krejtësisht arbitrare na kërkon që ta lirojmë pronën tonë legale brenda shtatë ditësh, nën kërcënimin e largimit tonë me forcë nga prona jonë private.

Deri me sot, kemi dashur të kursehemi nga diskursi publik i përplasjes së gënjeshtrave të Faton Pecit me gjendjen faktike juridike, pasi që kemi vlerësuar e besuar siç vazhdojmë të besojmë, se për konteste të tilla ka rrugë ligjore e mekanizma ligjor të cilat edhe i kemi shfrytëzuar.

Ngjashëm edhe i kemi mirëpritur e jemi të hapur për organet kompetente që kanë nevojë të vërtetojnë vërtetësinë e pronës private të bazuar në certifikata pronësore.

Për informimin tuaj korrekt, ne jemi një familje e thjeshte dhe e zakonshme kosovare. Objekti të cilin e kemi në pronësi, është objekt banesor i blerë në mënyrë legjitime e legale nga personat fizik, përmes kontratave të lidhura pranë organeve kompetente, e jo nga Instituti i Bujqësisë. Certifikatat pronësore janë në emër tonin, përkatësisht numrat e fletave poseduese janë: O-71914059-07433-0-465-2-4-0 dhe O-71914059-07433-0-465-2-2-0.

Që nga periudha kur jemi pronar legjitim të kësaj pasurie, ne paguajmë tatim në pronë dhe detyrimet tjera përkatëse.

Për më tepër, historiku i objektit bashkë me të drejtat pronësore që kanë ekzistuar në atë objekt janë të evidentueshme. Këto i ka ditur shumë mirë dhe i din edhe Faton Peci, pasi që i njëjti, ju ka shkruar institucioneve tjera duke ju referuar pronarit të vërtetë me certifikata pronësore, saktësisht neve.

Meqe Faton Peci ka braktisur rrugën institucionale për t’ia lënë këtë çështje organeve të pavarura të drejtësisë, duke zgjedhur ta luajë rolin e “heroit” që bën vetëgjyqësi, e sfidojmë publikisht Faton Pecin në çdo studio televizive ku ai zgjedh, që të përballemi e t’i dëshmojmë të vërtetat rreth kësaj çështje.

Për informimin tuaj, ne kemi paditur Ministrinë e Bujqësisë në vitin 2016 për definimin e kufirit pronësor dhe që nga ajo kohë jemi duke pritur shtjellimin e çështjes gjyqësore.

Pas shpifjeve të Faton Pecit dhe në mungesë të edukatës bazike për kërkim falje  dhe vazhdimësisë së dëmit material dhe moral ndaj integritetit tonë, që ai na ka bërë duke na portretizuar si uzurpatorë, ndaj Faton Pecit kemi ushtruar padi për shpifje.

Faton Peci mund të ketë llogaritur se duke sulmuar pronën tonë private, do të ndërtojë karrierë të bujshme politike. Ajo çfarë ne kemi për t’i thënë Faton Pecit, është shumë e thjeshtë. Ai është i “fortë” sepse është pushtet. Ne jemi “të dobët” përballë tij, sepse nuk kemi as pushtet, as forcë, as ide se si të mbrohemi ndaj një pushtetari, përveç ligjit. Por ne jemi në shtëpinë tonë dhe përmes ligjit do të mbrohemi, sepse besojmë se në Kosovë, nuk do të duhej të kishte pushtetarë që janë mbi ligjin.

Mentaliteti stalinist për eliminim të pronës private që ka manifestuar Faton Peci ndaj nesh, nuk do të kalojë. Duke qenë pronar faktik e juridik të pronës private, ne do të shfrytëzojmë të gjitha mjetet juridike, të zakonshme dhe të jashtëzakonshme, si dhe për këtë mentalitet stalinist të Faton Pecit, përveç që do t’i bëjmë kallëzim penal qysh sot, do t’i njoftojmë të gjitha institucionet vendore e ndërkombëtare që garantojnë paprekshmërinë e pacenueshmërinë e pronës private, përfshirë Presidenten, Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, Avokatin e Popullit, Ambasadat e Vendeve Perëndimore, Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Ministrin e Punëve të Brendshme dhe Policinë, si dhe Kryeprokurorin e Shtetit, lidhur me vendimet arbitrare të Faton Pecit, përmes së cilave, duke cenuar paprekshmërinë e pronës private, ai hapur ka dalë mbi ligjin, mbi të drejtën, mbi shtetin ligjor.

Ju kërkojmë ndjesë për kohën.

Leave a Reply

Your email address will not be published.