Komisioni Disiplinor i Ministrisë së Drejtësisë ka shkarkuar nga shërbimi civil Avokatën Shtetërore I.A.
Ajo akuzohet për disa vepra gjatë ushtrimit të funksionit të saj, këtë e ka berë të ditur Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu.
Mëposht gjeni veprat për të cilat akuzohet, përcjell Dtv.
Postimi i plotë:
SHKARKOHET AVOKATJA SHTETËRORE I.A
Sapo pranuam Vendimin e Komisionit Disiplinor të Ministrisë së Drejtësisë me të cilin shkarkohet nga Shërbimi Civil, Avokatja Shtetërore I.A.
Avokatja Shtetërore në fjalë, ka dëmtuar institucionet publike në vazhdimësi duke kryer veprime të paautorizuara.
Gjatë ushtrimit të funksionit të saj, Avokatja Shtetërore:
▪ Ka lidhur ujdi për lëndë pa autorizimin dhe njoftimin e personave përgjegjës;
▪ Ka lidhur ujdi për lëndë të avokatëve të tjerë shtetërorë pa i njoftuar as avokatët e as palët;
▪ Nuk ka bërë analiza paraprake për ujditë gjyqësore;
▪ Ka lidhur ujdi në vlerë prej 505.000,00 eurosh pa e njoftuar Avokaturën Shtetërore dhe Departamentin e shpronësimit, duke dëmtuar kështu buxhetin e shtetit;
▪ Ka mbrojtur në Gjykatë, Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK) në një rast, në të cilin Gjykata Themelore ka marrë Vendim që ka prodhuar obligime financiare për SHKK, Avokatja në fjalë nuk e ka njoftuar fare institucionin dhe lënda ka përfunduar në përmbarim.
▪ Ka pranuar Vendimin për një rast në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), për të njëjtin nuk e ka njoftuar MPB-në dhe as nuk ka ushtruar ankesë, duke i krijuar MPB-së obligim financiar prej rreth 7 mijë eurosh.
▪ Nuk ka raportuar tek udhëheqësi.
Veprime të tilla minojnë dhe cënojnë interesin publik dhe janë të papranueshme.
E përshëndes Vendimin e Komisionit dhe pres që raste të tilla të jenë mësim për ata që Institucionin publik të vendit tonë e shohin si mundësi për zhvatje e krijimin e përfitimeve të paligjshme vetjake a të palëve të tjera.