“Ultimatumi i të premtes”: Edhe Simiq si ministrat e Kurtit, shfaqet me videomesazh

Të premten e kaluar Inspektorati Komunal i Mitrovicës së Veriut nën udhëheqjen e Lëvizjes Vetëvendosje zhvilloi inspektime në një ndërtesë nën pronë komunale, objekt ky që vijon të jetë i shfrytëzuar nga strukturat paralele serbe.

Lista Serbe u “alarmua” të premten e kaluar duke u shprehur se inspektorët kanë lajmëruar se “do të vinë prap të hënën” dhe se do të pasonte “dëbimi” i punëtorve serbë; dhe se po ashtu “rendin do ta kenë institucionet shëndetësore, shkollat, kolegjet…nën pretendimet për pronë komunale”.

Në një ndërtesë në lagjen multietnike të quajtur Mahalla e Boshnjakëve inspeksioni komunal u ka kërkuar dokumentacionin e nevojshëm që kanë për shfrytëzimin e atij objekti, i cili bie nën pronësi të Komunës së Mitrovicës së Veriut.

Inspektorati shkoi sërish; dhe në mungesë të atij dokumentacioni të shfrytëzimit të objektit i tha Nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq, se “deri të premten duhet të lirojnë ndërtesën”, e për më tepër, për shkak se aty punohet me sistem serb paralel, e ku funksionon edhe një degë e të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë dhe Metohi”, e cila në Beograd drejtohet nga Petar Petkoviq.

Kjo ndërtesë, aktualisht, mbetet e vetmja që përbrenda ka “organet shtetërore të Republikës së Serbisë”, siç thonë Lista Serbe.

“I bëjmë pyetje komunitetit ndërkombëtar nëse në këtë mënyrë po respektohet thirrja e tyre ndaj kryetarëve jolegjitimë që të kryejnë vetëm detyre administrative dhe të mos marrin vendime politike kundër qytetarëve të komunave tona”, shkroi Lista Serbe në një reagim.

Komuna e Mitrovicës së Veriut, nën udhëheqjen e Erden Atiq, u shpreh se sa i përket ndërtesës në fjalë ajo po shfrytëzohet “pa dokumente”, siç e citoi këshilltarin e Atiqit, Visar Sylën, media serbe “KoSSeV”.

Në këtë objekt funksionojnë e ashtuquajtura “Zyrë për Kosovë dhe Metohi”, një “Qendër për Punë Sociale nga Vushtrria” dhe një “Qark Administrativ i Kosovska Mitrovica”.

Këtë vendim të Atiqit e kanë kundërshtuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët edhe ashtu kaherë kanë kërkuar që kryetarët e rinj shqiptarë legalë (ndonëse jolegjitimë) të kryejnë “vetëm detyra administrative dhe teknike” si dhe të mos marrin vendime që mund të provokojnë përshkallëzime të tensioneve.

Vendimin e Atiqit të Vetëvendosjes, ShBA e quajti “të pa koordinuar” me ta dhe me bashkësinë ndërkombëtare.

“Ne vlerësojmë se këto veprime, të cilat nuk janë bashkërenduar me bashkësinë ndërkombëtare, janë në kundërshtim me kërkesat tona për shmangien e veprimeve të cilat mund t’i përshkallëzojnë tensionet, apo mund të perceptohen si përshkallëzuese”, tha Ambasada amerikane në Kosovë në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

“…ndonëse e pranojmë që zgjedhjet komunale në veri, në prill të vitit 2023, janë thirrur sipas ligjeve të Kosovës, dhe ne i kemi konsideruar rezultatet si legjitime, duke e marrë parasysh daljen tejet të ulët në këto zgjedhje, disa zyrtarë amerikanë e kanë ritheksuar pritjen tonë që këta kryetarë, përfshirë atë të Mitrovicës së Veriut, do të bëjnë përpjekje për t’iu përgjigjur shqetësimeve të të gjitha banorëve dhe pjesëtarëve të komuniteteve”.

Edhe nga Bashkimi Evropian e kanë qortuar një vendim të tillë duke e quajtur në kundërshtim me përpjekjet për shtensionim të situatës në veri të Kosovës.

“Ne jemi të shqetësuar për ndikimin që do ta kenë në situatën e sigurisë vendimet e fundit të administratës së Komunës së Mitrovicës së Veriut për përdorimin e hapësirës dhe ndërtesave publike dhe komunale“, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

BE kërkoi “bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë në të gjitha vendimet që mund të kenë ndikim në situatën e brishtë të sigurisë” dhe se çështja e strukturave paralele duhet të adresohet në Dialogun e Brukselit dhe në kuadër të themelimit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe.

“Rasti me këtë vendim nuk ka qenë i tillë. Çështja e strukturave të udhëhequra nga Serbia duhet të adresohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe duhet të zgjidhet në kontekstin e themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe“ tha ai.

“Është e rëndësishme që të organizohen sa më parë zgjedhje inkluzive lokale në të cilat serbët e Kosovës do të marrin pjesë pa parakushte”, nënvizoi ai.

Nënkryetari i Listës Serbe sot përmes një videoje u shfaq brenda këtij objekti në një kundëpërgjigje ndaj politikanit rival të veriut, Aleksandar Arsenijeviq, i cili pretendoi se Lista Serbe e ka “boshatisur” këtë objekt. Simiq mohoi ta kenë braktisur dhe liruar objektin teksa tregon punonjës duke kryer detyrat e tyre.

Lista Serbe është shprehur se nuk do të durojnë “ultimatumin e Kurtit” për lirimin e ndërtesës deri të premten.

Leave a Reply

Your email address will not be published.