Bërnabiq në Forumin e Bledit: Kosova dhe Serbia janë një

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka shprehur edhe njëherë qëndrimin kundër Pavarësisë së Kosovës, teksa ka thënë se Kosova dhe Serbia janë një.

Në panelin bashkë me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Forumit Strategjik në Bled të Sllovenisë, ajo tha se “për mua nuk jemi dy vende por jemi një vend”.

Ajo dyshon se Kosova do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, pasi mungon njohja e pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

“Së pari më duhet të them se për mua nuk jemi dy vende por jemi një vend. Kosova e ashtuquajtur Republika e Kosovës nuk është shtet i njohur ndërkombëtarisht. Nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe po dyshoj se do të bëhet pjesë e BE-së, të paktën për aq kohë sa janë pesë shtete që nuk e njohin”, deklaroi Bërnabiq.

“Do të thoja se normalizimi që është në interes edhe të Beogradit e edhe të Prishtinës, edhe për serbët edhe për shqiptarët, dhe normalizimi ka vend shumë të lartë në listën tonë të prioriteteve. Normalizimi fillon me Marrëveshjen e Brukselit të nënshkruar në prill të 2013-ës, pra më shumë se para 10 vjetëve, si marrëveshja e parë e nënshkruar për normalizim midis Beogradit dhe Prishtinës, e bashkënënshkruar nga BE-ja dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së”, u shpreh Brnabiq, teksa këmbëngul në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“E vetmja gjë që Prishtina është dashur të bëjë në dakordim me marrëveshjen e Brukselit si marrëveshje e parë e normalizimit është themelimi i komunave me shumicë serbe. Pothuajse 11 vjet më vonë ka gjithçka pos themelimit të komunave me shumicë serbe dhe zoti Kurti thotë se marrëveshja e Brukselit nuk ekziston për të. Më lejoni të ju rikujtoj edhe një herë se është marrëveshja e parë për normalizim”, u shpreh Brnabiq.

 

DTV

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.