Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka thënë që ndërtimtarët janë më të rrezikuarit për jetë prej të gjithë punëtorëve në Kosovë.
“Në Kosovë nuk paraqet lajm nëse ndonjë punëtor lëndohet, bëhet i paaftë përjetësisht për punë apo edhe e humb jetën për faktin se punëdhënësi nuk siguron kushte për punë për të punësuarit, nuk kanë kontrata pune, nuk kanë sigurime shëndetësore e mos të flasim për sigurime të jetës. Për fat të keq disa raste përfundojnë me lëndime të rënda dhe të pariparueshme kurse në raste të tjera edhe me fatalitet. Për shtatë muaj të vitit 2023 , në vendet e tyre të punës kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë kanë humbur jetën 18 punëtorë e që paraqet edhe një numër rekord të pësimeve me fatalitet për jetën . Për shkak të kushteve të rënda ekonomike shumë punëtorë , ndonëse të pakualifikuar për punën që e bëjnë detyrohen që të punojnë në kushte skajshmërisht të rrezikshme për jetën, pa pasur fare siguri dhe pa u kompensuar familjet për humbje të jetës”, thuhet në komunikatën e KMDLNj-së.
“Nëse kemi parasysh faktin se Kosova në përgjithësi, kurse Prishtina në veçanti janë shndërruar në kantiere ndërtimi ku punohet pa orar, në ditë feste, ditë pushimi, në kushte të rënda atmosferike dhe, madje punohet edhe gjatë natës pa pasur aspak konsideratë për sigurinë dhe qetësinë e qytetarëve , pa mbikëqyrje efektive të institucioneve përgjegjëse atëherë edhe kemi një numër aq të madh të viktimave në vend të punës”.
Ky Këshill tha se ka ardhur momenti që të ndërmerren hapa konkretë për përmirësimin e sigurinë e punëtorëve në vendin e punës.