“Në njëfarë mënyre, të gjitha së bashku, pa marrë parasysh a janë shtete të mëdha apo të vogla, a janë anëtare të Bashkimit Evropian apo jo, e kanë një lloj pronësie mbi këtë iniciativë. Pra, është një përpjekje e përbashkët. Dhe, sipas vetë presidentit Macron, i cili është ideator i kësaj iniciative, kjo platformë është një diskutim, apo një dialog mes të barabartëve. Ky është shpjegimi më i mirë i asaj që synohet”, ka thënë Osmani për REL.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për përfitimet e Kosovës nga Bashkësia Politike Europiane, një platformë për koordinim politik e zyrtarizuar në Pragë, më 6 tetor.
Ajo tha se kjo është një platformë e re e të gjitha shteteve të kontinentit europian që ka për qëllim të nxisë edhe më shumë dialogun politik ndërmjet shteteve, të cilat marrin pjesë si të barabarta.
Osmani shtoi se kjo është një iniciativë e re, ku diskutohen sfida të përbashkëta, gjenden zgjidhje përpara, por edhe arrihet dakordim për veprimet, me të cilat ne do t’i zgjidhim ato sfida me të cilat ballafaqohemi si kontinent.
“Dje [6 tetor] ishte vetëm takimi i parë. Rrjedhimisht, diskutimet kanë qenë të fokusuara në pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë, pastaj [te] çështja e ekonomisë dhe energjisë, paqja dhe siguria në kontinentin evropian. Secili shtet ka pasur mundësinë që të japë kontributin e vet, t’i paraqesë kërkesat e veta. Përveç platformës së përbashkët, ku të gjithë kemi diskutuar me njëri-tjetrin, ka qenë edhe një mundësi e shkëlqyeshme, sidomos për ne si Kosovë, që të takojmë shumicën dërrmuese të liderëve edhe në baza bilaterale, dhe të shtyjmë përpara çështje që janë në interes nacional të Kosovës, siç është çështja e liberalizimit të vizave, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare – sidomos tani në Këshillin e Evropës që është prioriteti i parë i Kosovës… sa u përket sfidave ose të ardhmes multilaterale, por edhe tema të tjera që janë të interesit dypalësh”.
“Pra, ishte një mundësi e shkëlqyeshme, ku Kosova është e barabartë edhe me 43 shtete të tjera pjesëmarrëse në këtë forum. Besoj që do të jetë një platformë e mirë, ku do të dëgjohet zëri ynë, ku do të mund t’i paraqesim shqetësimet tona, por edhe kontributin tonë të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon, e rrjedhimisht në gjithë kontinentin evropian”.