Dëshmitarët janë nga mosha 77 deri 88 vjeç dhe kanë gjendje të ndryshme shëndetësore. Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Kehoe, në një letër të dërguar Kryeprokurorit të Hagës, Jack Smith, ka treguar se në listën e dëshmitarëve mbrojtës për rastin janë edhe nëntë ish-diplomatë, figura ushtarake të NATO, të OSBE-së, UNMIK-ut e misione të tjera të cila kanë qenë në Kosovë gjatë kohës së luftës.
Gjithashtu ka paralajmëruar se si dëshmitar mbrojtës për Thaçin do të jetë edhe një top-zyrtar i një shteti fqinj të Kosovës.
“Këta 9 dëshmitarë ndërkombëtarë, ishin të gjithë, në periudhën e aktakuzës, diplomatë të lartë ndërkombëtarë, administratorë dhe figura ushtarake që shërbenin në pozita të larta në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO); Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE); Kombet e Bashkuara (OKB); Administrata e Përkohshme e OKB-së në Kosovë (UNMIK); Misioni Monitorues i Kosovës (MVK); Misioni Vëzhgues Diplomatik i Kosovës (MKDK); dhe një zyrtar i lartë qeveritar nga një vend fqinj me Kosovën. Ata kanë bashkëvepruar ngushtë me z. Thaçi, si në nivel profesional ashtu edhe në disa raste edhe personal.”, thuhet në letrën e Kehoe.