E shtuna e ardhshme e 9 shtatorit, do të zbresë në fushë, në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës, kombëtaren dardane dhe Zvicrën, në sfidën e vlefshme për kualifikueset e kampionatit evropian, “Euro 2024”.
Brenda 5 orëve, biletat në dispozicion, jo vetëm për të parë nga afër këtë ndeshjes të kombëtares, por edhe yjet shqiptarë të kombëtares zvicerane, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri, janë shitur të gjitha.
Por si do të priten në tokën dardane, Xhaka e Shaqiri? Dhe a është menduar diçka speciale për ta?
“Përgatitjet për Kosovën janë gjithmonë në atë nivelin e vet sepse kur luan kombëtarja jonë, ne nuk veçojmë dikë. Mund ta veçojmë ndonjë shtet mik si Amerikën, Anglinë, pse Gjermaninë, për të tjera nuk kemi diçka të veçantë që duhet ta veçojmë këtë ndeshje me Zvicrën. Ndeshja me Zvicrën është me rëndësi për Kosovën sepse kemi çaluar ne rezultate, përndryshe nuk do të thoja që është ndonjë ndeshje e veçantë. Zvicra përveç që është një shtet që ka votuar kundër Kosovës në pranimi në UEFA dhe FIFA, nuk e shoh që është diçka e veçantë”, u shpreh drejtuesi i “Dardanëve”, Lul Berisha.
Berisha thotë se interesi për këtë ndeshje ishte i madh, por sipas tij për të parë jo vetëm Kosovën, por edhe Zvicrën e yjet e saj.
Kosovë-Zvicër, përtej patriotizmit, a do të jetë një ndeshje e luajtur në fushë?
“Ne do t’i duartrokasim sepse janë pjesë e kombit tonë, janë shqiptar, janë të Kosovës, do t’i duartrokasim aq sa është mundësia jonë, përndryshe ne duhet të luftojmë me ta në fushën e blertë, lojtarët tanë po mendoj…Koreografitë nuk zbulohen në të gjithë botën, kjo është ligj. Po, do të ketë, unë besoj që do të jetë shumë e veçantë, por do të jetë për Kosovën dhe për shqiptarët, jo për dike special”, përfundoi Berisha.