Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, është kërcënuar nga organizata serbe “Severna Brigada”.
Kërcënimi ndaj ministrit Sveçla ka ardhur pas njoftimit për zbulimin e një sasie të madhe të armatimit, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore e eksploziv në Zveçan.
Organizata “Severna Brigada” e kanë kërcënuar hapur Sveçlën duke i shkruar publikisht në Facebook se “Unë personalisht do të të dënoj (likuidoj), vetëm momenti pritet”.
Sot, u zbulua një sasi e madhe armatimi në një shtëpi në Zveçan, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksploziv. Ministri Sveçla tha se kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe.
“Si Qeveri, gjatë 2 viteve të fundit, kemi zbuluar e bllokuar rrugët ilegale të kontrabandimit. Ditën e sotme, Policia e Kosovës së bashku me institucionet e inteligjencës, pas identifikimit, ka zhvilluar bastisje në një bazë të armatimit në veriun e Kosovës, konkretisht në Zveçan. Kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe. Deri më tani është zbuluar një sasi e madhe e armatimit, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksploziv”, ka shkruar Sveçla.
Sipas tij, për 2 dekada, veriu i Kosovës ka jetuar në ilegalitet, në një rend anormal, ku kanë gjetur strehë organizatat kriminale e kriminelët e financuar nga Beogradi.