Me rastin e shënimit të 24 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, është organizuar ekspozita me njësitet dhe pajisjet policore, ku qytetarë të shumtë shprehën interesim për t’i vizituar dhe për të ditur më shumë rreth funksionit dhe rëndësisë së tyre. Përveç kësaj, qytetarët u shprehën krenarë dhe të kënaqur me punën e Policisë së Kosovës përgjatë këtyre viteve, derisa thonë se institucionet duhet t’i realizojnë kërkesat e tyre.
Ata vlerësojnë lart punën që bën Policia e Kosovës për sigurimin e rendit dhe qetësisë publike.
Qytetarja, Doruntina Bujupaj tha se u ndje krenare kur pa gjithë ato pajisje duke u ekspozuar, derisa kërkoi nga institucionet që të realizojnë të drejtat që i kërkojnë policët e Kosovës.
“Jam shumë krenare, duke i parë pajisjet, duke i parë njerëzit, edhe gjithçka tjetër në organizmin e sotëm. Pra, për me qenë edhe qytetare e këtij vendi, duke qëndruar afër, ju afrova pajisjeve të ndryshme, storieve të policëve nëpër raste të jashtëzakonshme, pastaj blindave atje, robotëve, qenve, dhe gjithçka tjetër, që në fakt për neve si publik nuk ka qenë shumë hapur që teknologjia e Policisë së Kosovës është kaq e lartë…Ekzistojnë disa kushte, disa të drejta të cilat nuk po i realizohen nga na e institucioneve kryesore, asaj të qeverisë ndaj Policisë, kështu që kisha pasur dëshirë të shoh se përtej lavdit, patjetër që e ka prej qytetarëve të Republikës me pas mbështetje të vërtetë institucionale nga qeveria, në mënyrë që me realizuar të drejtat siç janë ato të shtesave, ndërrimit të natës”, tha Bujupi.
Po ashtu, edhe qytetari Resmi Sherifi e quan mrekulli Policinë e Kosovës.
herifi: Policia e Kosovës, mrekulli e madhe
“Shumë mirë. Si po ju duket policia e Kosovës? Mrekulli e madhe, mbetem i kënaqur që i shikoj të gjithë këtu, edhe çlirimin që e festojmë të policisë, jam jashtëzakonisht i kënaqur, dhe mbetem i kënaqur. Si e vlerësoni punën e Policisë së Kosovës? Shumë mirë, janë të zotët dhe Zoti të na ndihmojë të gjithëve. A po mendon se duhet të bëhet më shumë për Policinë e Kosovës? Po, po qeveria duhet t’i japë popullit shqiptar, ç’mundësi kërkojnë t’i ndihmojë, edhe policisë të vazhdojnë”, tha Sherifi.
Pjesë e kësaj ekspozite, ishin edhe disa fëmijë të veshur me uniformën e Policisë së Kosovës, të cilët u shprehën entuziastë ndaj asaj që kanë parë në ekspozitë, duke thënë se të ardhmen dëshirojnë të bëhen pjesë e policisë së Kosovës.
Vogëlushi, Ervin Fazliu tha se në të ardhmen do t’i shërbejë vendit si polic.
Fazliu: Dua të bëhem polic, ta ndihmoj shtetin
“Këtu më pëlqyen rregullat e ndryshme të policisë… Më së shumti më kanë pëlqyer rregullat që kanë mundur të gjejnë njerëzit të cilët kanë bërë krime pa tabela, pa tabela dhe për shembull pa asnjë informacion për ata. A ke dëshirë të bëhesh polic? Po, shumë kam dëshirë të bëhem polic, kam dëshirë sepse dua ta ndihmoj shtetin dhe ta çojmë përpara shtetin”, tha Fazliu.