Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka njoftuar se ka arrestuar personin i cili dyshohet se javë më parë, hodhi granatë dore në oborrin e shtëpisë së kryesuesit të Bordit të Trepçës, Bahri Hyseni.
Deri tek arrestimi i të dyshuarit sipas Prokurorisë ka ardhur pas një hetimi intensiv.
“Pas një hetimi intensiv të kësaj prokurorie në bashkëpunim me policinë, është arrestuar personi i dyshuar me iniciale F.B., për shkak të veprave penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” etj.
I dyshuari me vendim të prokurorit është ndaluar me dyshimin e bazuar se ka sulmuar me granatë dore shtëpinë e kryesuesit të Bordit të Trepçës”, thuhet në njoftim.
Ndaj personit të dyshuar brenda afatit të paraparë ligjor, do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit pranë gjykatës kompetente.
Mbrëmjen e 30 gushtit, shtëpia e kryesuesit të Bordit të Trepçës ishte sulmuar me një mjet shpërthyes.
DTV