Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në një postim në Facebook, ka thënë se gjatë këtyre dy ditëve janë takuar me bartësit e ekipeve programore për të finalizuar programin “Rruga e Re”.
Ai ka treguar se ky program përmban 30 kapituj që do të ofrojnë alternativat për zhvillim në çdo sektor.
“Si program zhvillimor, puro zhvillimor, i mbështetur në ideologjinë e qendrës së djathtë, ‘Rruga e Re’ do të ofrojë jo vetëm projekte e nisma të mëdha, por dhe ide të domosdoshme të formësimit tonë shtetëror në dekadën në vijim. Për këtë jemi entuziastë të gjithë”, ka shkruar mes tjerash ai.
Postimi i plotë:
Programi politik i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ‘Rruga e Re’ po merr formë.
Gjatë dy ditëve të fundit qëndruam bashkë me bartësit e ekipeve programore për të finalizuar rrugëtimin e ri që i duhet vendit tonë. ‘Rruga e re’ shtron hapur vizionin tonë për shërimin e polarizimit shoqëror që ka ngufatur vendin tonë tash e sa kohë; projekton rikthimin në fundamentet shtetare të Republikës – ato të lirisë e jo frikës, demokracisë e jo persekutimit, integrimit euroatlantik e jo izolimit.
Mbi të gjitha, ky program me mbi 30 kapituj, do të ofrojë alternativat tona për zhvillim në çdo sektor.
Si program zhvillimor, puro zhvillimor, i mbështetur në ideologjinë e qendrës së djathtë, ‘Rruga e Re’ do të ofrojë jo vetëm projekte e nisma të mëdha, por dhe ide të domosdoshme të formësimit tonë shtetëror në dekadën në vijim. Për këtë jemi entuziastë të gjithë.
Falënderojë secilin profesionist që ka kontribuar e po kontribuon në këtë program tash e sa kohë. Puna e tyre e madhe po kulmon në një rrugëtim të ri për Kosovën. Falënderojë dhe gjithë akterët jashtëpartiak që me diskutime të hapura kanë bashkëdefinuar sfidat e Republikës. U jemi mirënjohës intelektualëve, gazetarëve, ligjëruesve, diplomatëve, aktivistëve të shoqërisë civile e sektorit privat që me ide e pjesëmarrje në takimet tona kanë formësuar këtë rrugëtim. Në kohën e publikimit të programit – në një Konventë të madhe programore – dhe pas saj, jemi të interesuar të marrim dhe komente e sugjerime tjera. Ato veçse na pasurojnë, edhe në raste të mospajtimit përmbajtësor.
Cinizmin e cinikët, në thatësinë e mendimeve, do t’i lëmë në një anë. S’kemi kohë të humbasim. Është koha të flasim për ide e projekte konkrete. Është koha të bëjmë kapërcimin e madh dhe në politikë dhe në diskutime publike jashta saj. Urrejtja e popullizmit s’dallon fundja nga cinizmi. Të dyja janë boshe – e kjo shoqëri mundet më shumë se kaq.
‘Rruga e Re’ është zgjidhja.
Ju ftojë ta përcjellni shpalosjen tonë në çdo hap.