Bajrami shënon eurogol, Shqipëria la pa fjalë Çekinë në Pragë

Shqipëria kthehet me një pikë me shije të fitores nga Praga!

Kombëtarja e Shqipërisë ka barazuar me rezultat 1:1 me Republikën e Çekisë, në takimin e xhiros së pestë të Grupit E të kualifikueseve për Kampionatin Evropian në futboll.

Mbi 3 mijë shqiptarë ishin të pranishëm në stadiumin në Pragë, duke i dhënë përkrahje të madhe kuqezinjve.

Çekia – Shqipëria 1:1

Stadiumi “Fortuna Arena” në Pragë.
Shikues: 19.000.
Gjyqtar: A. Taylor (Anglia).
Shënues: Cerny (58′) – Bajramio (66′).
Kartona të verdhë: Provod – Asani, Bajrami, Ismajli.
Republika e Çekisë: Pavlenka, Holes, Brabec, Krejci (Chyti 86′), Coufal, Soucek, Kral, Provod, Cerny (Hlozek 70′), Kuchta (Jurecka 71′) dhe Cvancara (Lingr 86′).
Shqipëria: Berisha, Hysaj, Ismajli, Gjimshiti, Mitaj, Ramadani, Asllani (Bare 69′), Seferi (Uzuni 84′), Bajrami (Gjasula 84′), Asani (Muja 69′) dhe Cikalleshi (Daku 58′).

Çekia kryeson me 8 pikë, pasojnë Shqipëria me 7, Polonia 6, Moldavia 5 dhe Ishujt Faroe 1 pikë.

Në minutën e 12-të, Cerny nga rreth 18 metra godet bukur e përtokë por portieri Etrit Berisha ka treguar klasin e tij.

Soucek në minutën e 25-të godet me kokë megjithatë portieri Etrit Berisha me majë të gishtërinjve e ka dëbuar në rivënie këndore.

Në minutën e 28-të, Jasir Asani shumë i lëvizshëm, jep një top të gjatë brenda 16-shit dhe Sokol Cikalleshi në pozitë ideale gjuan drejt në këmbën e portierit vendas.

Dy minuta pa përfunduar pjesa e parë, Ismajli ka shpëtuar një gol të sigurt, duke bllokuar goditjen e futbollistit Soucek.
Pjesa e dytë më dinamike se sa e para.

Në minutën e 58-të, mbrojtja e Shqipërisë bie sikur në gjumë dhe Vaclav Cerny doli i vetmuar e me gjakftohtësi ka shënuar në këndin e poshtëm e të djathtë, 1:0.

Nedim Bajrami gjatë do të mbahet mend nga çekët. Ai në minutën e 66-të, nga rreth 20 metra ka shënuar eurogol në këndin e epërm të majtë, 1:1.

Në minutën e 74-të, Etrit Berisha hero i sfidës, ka shpëtuar gol të sigurt, duke e ndalur goditje e fortë me kokë të lojtarit Krejci.

Të dielën e 10 shtatorit, në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, Shqipëria do të ndeshet me Poloninë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.