Marramendja e papritur që disa njerëz ndiejnë kur ngrihen papritur nga një pozicion ulur, mund të jetë një shenjë për të marrë masa dhe për ta parë më seriozisht shëndetin tonë, pohon një studim i ri.
Hipotensioni ortostatik , siç quhet ndryshe marramendja e papritur, ndodh kur presioni i gjakut i një personi bie ndjeshëm pasi lëviz në një pozicion në këmbë. Kjo sipas studiuesve mund të tregojë një rrezik të shtuar të demencës në të ardhmen.
Studimi, i botuar në Neurology, revista mjekësore e Akademisë Amerikane të Neurologjisë, zbuloi lidhjen me sindromën e rënies konjitive vetëm tek njerëzit që përjetuan një rënie të presionit sistolik të gjakut.
Presioni sistolik është numri i parë në matjen e presionit të gjakut dhe hipotensioni sistolik ortostatik u përkufizua si një ulje prej të paktën 15 mmHg pas qëndrimit në këmbë nga një pozicion ulur.
Studimi përfshinte 2,131 njerëz me një moshë mesatare 73 vjeç dhe pa histori mjekësore të demencës.
Matjet e presionit të gjakut janë marrë në fillim të studimit dhe pas një, tre dhe pesë vjetësh. Në total, 15% e kampionit paraqitën hipotension ortostatik, 9% hipotension sistolik ortostatik dhe 6% hipotension diastolik ortostatik.
Gjatë 12 viteve të ardhshme, vlerësimi shëndetësor i pjesëmarrësve tregoi se 462 njerëz (22% e totalit) zhvilluan demencë.
Njerëzit me hipotension ortostatik sistolik, kishin pothuajse 40% më shumë gjasa për të zhvilluar demencë. Konkretisht, 50 nga 192 me hipotension postural sistolik (26%) zhvilluan sëmundjen, ndërsa nga 1939 individë pa këtë hipotension, 412 (21%) zhvilluan demencë.
Kur studiuesit morën parasysh faktorë të tjerë që mund të rrisin shanset e demencës, si diabeti, pirja e duhanit dhe konsumimi i alkoolit, shanset e zhvillimit të sëmundjes u rritën me 37% tek ata që kishin hipotension sistolik ortostatik.
Një gjetje e dytë e rëndësishme tregoi se ndryshimet më të mëdha në presionin sistolik të gjakut gjatë ngritjes nga pozicioni ulur, me kalimin e kohës rritën në mënyrë të barabartë shanset për demencë.