Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Serbia po përdorë lojërat e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, për të aneksuar territore të Kosovës.
Në një intervistë për televizionin shtetëror turk, TRT World, Osmani tha se megjithatë Forcat e Sigurisë së Kosovës nuk do ta lejojnë këtë.
“Ata po përdorin lojërat e Putinit për të provuar të aneksojnë territore të Kosovës, por sigurisht ne nuk do ta lejojmë këtë, sepse Kosova ka investuar në kapacitetet e saj të sigurisë dhe në të njëjtën kohë liritë tona që i kemi fituar me mund nuk janë diçka që do t’i japim ndonjëherë”, tha Osmani.
E para e shtetit tha se Kosova është nën sulme konstante nga shteti fqinj.
“Kjo nuk ka të bëjë me dy palë që krijojnë tensione, kjo është një situatë e qartë ku njëri shtet është agresori dhe tjetri viktima sulmeve konstante. Në këtë rast, Kosova është nën sulme konstante nga Serbia, e cila ka pretendime të qarta territoriale kundër Kosovës”, shtoi Osmani.