/

Për tetë muaj, mbi 5 milionë euro u shpenzuan nga buxheti i shtetit për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja

Nga 1 janari deri më 31 gusht 2023, shuma të cilën Republika e Kosovës e ka shpenzuar për mbrojtjen e të akuzuarve, të cilët po përballen me drejtësinë në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka qenë 5 milionë e 485 mijë e 800 euro.

Ndërsa, shuma totale e ndarë për vitin 2023 kap shifrën e 7 milionë euro.

Betimi për Drejtësi” ka siguruar të dhënat nga Ministria e Drejtësisë (MD) lidhur me pagesat që janë ekzekutuar për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara për vitin 2023.

Sipas të dhënave, vlera e mjeteve buxhetore të shpenzuara për vitin 2023 për vizitat e familjarëve ka qenë 96 mijë e 808 euro e 82 centë.

Mjetet më të mëdha për mbrojtje janë shpenzuar për Jakup Krasniqin, në vlerë prej 1 milion e 100 mijë euro, pasuar nga Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli në vlerë nga 880 mijë euro.

Ndërsa, mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka shpenzuar 821 mijë e 820 euro, për Pjetër Shalën 675 mijë euro, për Salih Mustafën 484 mijë euro, për Hysni Gucatin 363 mijë euro dhe Nasim Haradinajn 282 mijë euro.

Derisa në mjetet buxhetore për familjarët e të akuzuarve, të cilët i kanë vizituar të njëjtit në selinë e paraburgimit në Hagë, sipas përgjigjes së MD-së janë përfshirë biletat, fjetja dhe ushqimi.

Për familjen e Hysni Gucatit janë shpenzuar mjete buxhetore në vlerë prej 19 mijë e 566 euro e 59 centë, për familjen e Rexhep Selimit janë shpenzuar 17 mijë e 650 euro e 32 centë, për familjen e Nasim Haradinajt janë shpenzuar 17 mijë e 114 euro e 42 centë.

Kurse, për familjarët e Jakup Krasniqit janë shpenzuar 16 mijë e 895 euro e 30 centë, për familjen e Kadri Veselit janë shpenzuar 14 mijë 111 euro e 60 centë, për familjen e Salih Mustafës janë shpenzuar 7 mijë e 293 e 59 centë dhe për familjen e Pjetër Shalës janë shpenzuar 4 mijë e 177 euro.

Ndërsa, familja e ish-presidentit Thaçi sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë nuk ka shpenzuar asnjë cent nga buxheti i shtetit për vizita.

Ndryshe, në përgjigje të MD-së thuhet se buxheti që është ndarë për vitin 2023, për Divizionin është 7 milionë.  Mbulimi i këtyre shpenzimeve për mbrojtjen e të akuzuarve të Speciales bëhet konform nenit 3, paragrafi 1 të Ligjit nr. 05/l-054 për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.

Sipas nenit 3.1 të këtij ligji përcaktohet se “Të gjithë personat e akuzuar kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësit të pavarur, me përvojë dhe kompetencë, që paguhen nga Buxheti i Kosovës, i alokuar për qëllimet e këtij Ligji”.

Derisa, neni 4 i po të njëjtit ligj ka paraparë se “1. Mbështetja e nevojshme financiare për anëtarët e ngushtë të familjes së personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara përfshinë shpenzimet e ndërlidhura me udhëtimet e tyre kur procedurat gjyqësore zhvillohen jashtë Kosovës. 2. Mbështetja e nevojshme financiare për anëtaret e ngushtë të familjes së personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara bëhet sipas aktit nënligjor të miratuar nga Ministria e Drejtësisë”.

Dhomat e Specializuara të Kosovës janë themeluar në gusht të vitit 2015, pasi deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kishin miratuar amendamentin kushtetues, përkatësisht nenin e ri 162 të Kushtetutës së Kosovës, me dy të tretat (2/3) e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si dhe Ligjin pёr Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit tё Specializuar (ZPS).

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen nga ana e ZPS-së se ndërmjet marsit të vitit 1998 e deri në shtator 1999, kanë kryer krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave që konsideroheshin si kundërshtarë. Për krime lufte po gjykohet pranë kësaj gjykate edhe i akuzuari Pjetër Shala.

Kurse, Salih Mustafa nga shkalla e parë është dënuar me 26 vite burgim për krime lufte.

Ndërsa, me akuzat për pengim në administrimin e drejtësisë ishin ngarkuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, të cilët edhe janë gjetur fajtorë për këto vepra penale, duke u dënuar me nga 4 vjet e gjysmë burgim dhe gjobë në shumën prej 100 euro.

Leave a Reply

Your email address will not be published.